Dorëhiqet kryetari i Mitrovicës së Veriut para Kuvendit komunal

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, ka dhënë të dielën zyrtarisht dorëheqje nga pozita që ka, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës.

Njëjtë kanë vepruar edhe 17 këshilltarë nga radhës e Listës Serbe në Kuvendin e kësaj komune.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Një ditë më parë, më 5 nëntor, kjo parti ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit./rel