Miqësorja me Katarin, Shqipëria zhvillon stërvitjen e parë

Kombëtarja e Shqipërisë e ka filluar grumbullimin sot për miqësoren që do ta zhvillojë më 9 nëntor kundër Katarit në Marbella të Spanjës.

Në seancën e parë stërvitore nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja pjesëmarrës ishin 20 nga 23 lojtarët e ftuar në grumbullim, përcjell lajmi.net.

Bëhet e ditur se futbollisti Ardit Deliu nuk është stërvitur me skuadrën pas një shqetësimi në muskul, dhe pas konsultës me stafin mjekësor është vendosur që ai të bëjë sot pushim për të mos rrezikuar.

Ndërkaq, portieri Arlis Shala është bashkuar pas seancës stërvitore me ekipin, kurse mesfushori Kristal Abazaj do të bëhet pjesë e grupit në orët e paradites së të dielës me dy lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet nesër.

Kombëtarja e Shqipërisë do të stërvitet deri të martën në Durrës, ndërsa më pas do të niset drejt Spanjës, ku edhe do ta zhvillojë seancën e fundit stërvitore.

Miqësorja mes Shqipërisë dhe Katarit zhvillohet pikërisht në stadiumin e Marbellas me fillim nga ora 18:30. /Zeri.info