Vuçiqi sot paraqet raport nga bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ftesë të kryeministres Ana Bërnabiq, do të marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, ku do të paraqesë një raport për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq do të takohet edhe me Patriarkun Porfiri dhe Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe, si dhe me ambasadorin kinez Chen Bo dhe ambasadorin rus Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Në seancën e Qeverisë, Vuçiqi do të prezantojë një raport për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, të cilët paralajmëruan tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë Kurti për targat.

Presidenti i Serbisë do të takohet me Patriarkun Porfiri dhe me Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilin do ta informojë për situatën e fundit në Kosovë. Ky takim është caktuar për në orën 13:00, raporton RTS, transmeton klankosova.