Haxhiu: Rrethanat e vdekjes së Deharit enigmatike, drejtësia po vonohet nga neglizhenca e Prokurorisë

Nesër bëhen gjashtë vjet që nga vdekja e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari e për këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se rrethanat e vdekjes së tij mbeten ende enigmatike.

Ajo ka thënë se kjo gjendje ka ardhur për shkak të mosveprimit të Prokurorisë, duke u shprehur se neglizhenca e këtij institucioni po e vonon drejtësinë në këtë rast, raporton Zeri.info.

Haxhiu ka thënë se është e domosdoshme që të merren të gjitha veprimet e nevojshme që të zbardhen rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

“Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç'rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit”, shkroi ajo.

Ministrja më tej ka thënë se rasti “Dehari” s’mund të zbardhet me pasivitet prokurorial.

“Zbulimi i saktë i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij”, shkroi ndër të tjera Haxhiu. /Zëri