Totaj shembull, shkon me biçikletë në punë [video]

Për banorët e qytetit të bukur të Prizrenit është bërë e zakonshme që kryetarin e tyre ta shohin çdo ditë duke udhëtuar për në punë me biçikletë.

Shaqir Totaj nga dita kur morri detyrën e kryetarit të Prizrenit nga shtëpia e tij e deri në vendin e tij të punës shkon me biçikletë, raporton Zeri.info.

Arsyet pse kryetari vendosi ta përdor biçikletën në vend të makinave luksoze që zakonisht jemi mësuar ti shohim politikanët tjerë janë të shumta.

Shaqir Totaj ka thënë për atv se ngasja e biçikletës është një stil i jetës për të.

Ai thotë se për 20 vjet me radhë sa ka punuar në Administratë Tatimore ka shkuar me biçikletë dhe tani vazhdon ta bëj të njëjtën gjë.

“ Jetoj në qytet është afër kurse ky veprim i imi përveç që është stil i jetës jep edhe shumë mesazhe. Mesazhi i parë është të ruajmë ambientin, mesazhi i dytë është të mos e ngarkojmë qytetin me makina të tepërta dhe mesazhi i tretë është të jemi më ekonomik dhe ti inkurajomë qytetarët që të shfrytëzojnë biçikletën si mjet transporti nëpër qytet për të gjitha këto arsye që i përmenda më lartë”.

“Ata që më njohin e mirë e din që për mua është tipike dhe normale me përdorë biçikletën, e ata që nuk më njohin mirë një pjesë e tyre e kanë përshëndetur dhe kanë thënë se është gjest i mirë. Por ka pasur edhe disa të tjerë që kanë thënë se po e bën veç për reklamë. Mirëpo nuk është e vërtet që e bë për reklamë, e bëj sepse e konsiderojë që është normale dhe e natyrshëm dhe i inkurajojë jo vetëm qytetarët e Prizrenit por edhe gjithë zyrtarët që të përdorin biçikletën si mjet alternativë i transportit për shumë arsye”, ka thënë Totaj.

Për lëvizjet e tij me biçikletë nëpër Prizren, kryetari Totaj ka marrë komente shumë të mira edhe nga kolegët e tij të punës të cilët e njohin edhe para se ai të ishte në pozitë .

“Kolegët e mi më njohin edhe e din që është tipike për mua sepse edhe sa nuk kam qenë në opozitë dhe kam punuar tjetër kund e kam përdorur biçikletën.

Kjo gjë pak ju duket e veçantë që një kryetar i një qyteti për kushte kosovarë të shkojë në punë me biçikletë nuk janë mësuar më pa. Mirëpo me kalimin e kohës, tash jam adaptuar dhe është krejt okej”, ka thënë Totaj.

Dashuria që ka për sport është mese e dukshme teksa Totaj flet edhe për basketbollin e shumë sporte tjera që ai për asnjë moment nuk e la anash biçikletën që udhëton çdo ditë.

Ai me biçikletën e tij merre edhe rrugë më të gjatë se ato në qytetin e tij, ku në këtë rast ka zbuluar edhe një moment të vështirë që e kishte derisa po udhëtonte me biçikletën e tij për Suharekë.

“ Para një muaji u nisa për Suharekë me biçikletë dhe para se të mbërrij në Suharekë u shpërthyer goma e biçikletës. Pastaj thirra djalin tim në telefon dhe ai erdhi t’më ndihmojë me makinë e morëm biçikletën e vendosëm mbrapa ne bagazh dhe jemi kthyer sërish në Prizren. Ka pas raste kur me biçikletë kam shkuar edhe në Gjakovë dhe me biçikletë dal gjithmonë kur është koha e mirë” është shprehur Totaj.

 Ai thotë se mundohet të jetë shembull për qytetarët e tjerë si ta ruajmë shëndetin ambientin dhe ti largohemi sa më shumë tollovive dhe kolonave që krijohen nëpr rrugët e qyteteve. /Zëri