Policia në Suharekë i gjen kokainë në veturë, shoferi i reziston arrestimit

Policia ka gjetur kokainë në veturën e një shoferi, pas ndalimit dhe kontrollit në fshatin Grajkoc të Suharekës.

Shoferi fillimisht kishte tentuar të bëjë rezistencë, pasi policia kishte gjetur kokainë në veturën e tij, transmeton Zeri.info.

“Më datën 03.11.2022 rreth orës 18:00 DHTN-Prizren pas hetimeve intensive dhe punës operative në terren, në fshatin Grejkoc – Suharekë nga zyrtarët policorë është identifikuar një veturë e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar me iniciale L. R., i cili përkundër rezistencës së shfaqur kundrejt zyrtarëve policorë është arritur që të arrestohet, me ç’rast gjatë kontrollit të tij, tek i njëjti është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe një karikator i pistoletës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Bëhet e ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i Shtetit, përmes të cilit është marrë urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e të dyshuarit të lartcekur.

“Gjatë bastisjes së realizuar, përfshirë këtu edhe kontrollin e kryer në vendngjarje, janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

• Tre (3) fishekë, kalibër i panjohur;

• Dy (2) peshore digjitale;

• Një (1) kovë plastike me substancë të dyshuar për narkotikë heroinë pesha 1403.96 gramë;

• Dy (2) aparate për vakumim;

• Një (1) rolle najloni për mbështjellje të substancave narkotike;

• Katër (4) doza substancë të dyshuar narkotike lloji kokainë me peshë 2.076 gramë;

• Një (1) karikator me tre fishekë kalibër i panjohur;

• Para të gatshme në vlerë pesëqind (500) euro;

• Një veturë me targa vendore;

• Dy (2) telefona mobilë;

• Një (1) pistoletë ngjyrë e zezë pa karikator”

Në lidhje me rastin personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit të tij me urdhër të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë. /Zëri