Qeveria serbe seancë të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë, Vuçiqi takohet me ambasadorin kinez e rus

Nesër në orën 10:00 është caktuar mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë së Serbisë për, siç është thënë, situatën në Kosovë.

Por, para mbledhjes së nesërme, Aleksandar Vuçiq, për sot në orën 11:00, ka planifikuar konsultime edhe me ambasadorin kinez Chen Bo, ndërsa në orën 11:30 do të takohet me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan Harchenko.

Sonte, mëson “Blic”, Vuçiqi, përmes të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, do t’i informojë SHBA-në dhe BE-në për qëndrimet e serbëve të Kosovës lidhur me “situatën aktuale të tensionuar në veri të Kosovës”, transmeton Zeri.info.

Sipas gazetës serbe, gjatë gjithë natës së kaluar presidenti i Serbisë ka pasur bisedime me serbët e Kosovës. “72 orët e ardhshme do të jenë më të vështirat në 10 vjetët e fundit”, shkruan “Blic”.

Tutje thuhet se serbët nga Kosova do të kenë edhe një sërë takimesh, ndërsa të shtunën pritet një tubim i madh në Mitrovicë, ku do të zbulojnë planin e tyre para qytetarëve.

Të gjitha këto po bëhen për shkak të targave RKS dhe shkarkimit të drejtorit rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut. /Zëri