Punëtorët e sektorit privat javën tjetër në protestë, kërkojnë 50 euro shtesë nga Qeveria

Kryetarët e shoqatave të sektorit privat kanë mbajtur mbledhje, ku kanë vendosur që javën tjetër të fillohet me protesta.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se me vendim unanim janë dakorduar t’i japin edhe një javë afat Qeverisë për realizmin e kërkesave të tyre.

Ai më tej ka shtuar kërkesë e tyre është që edhe punëtorët e sektorit privat të subvencionohen me nga 50 euro, sikurse ata të sektorit publik.

“Unë njoftoj opinionin që protesta të fillojë javën tjetër. Ne edhe një javë po i japim afat Qeverisë që kërkesën tonë ta shqyrtojë mirë dhe po i shtjerrim të gjitha mundësitë, prandaj vendosëm që të shtyhet për një javë”.

“Sipas planeve, orientimisht ka qenë të hyhet të enjten. 30% të shoqatave kanë kërkuar të shtyhet javën e ardhshme dhe në mënyrë unanime kemi vendosur”.

Qeveria e Kosovës në masat për ta luftuar inflacionin, ka ndihmuar punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro për tre muaj rresht.

Nga 100 euro u janë ndarë pensionistëve, ndërsa nga 100 euro u janë premtuar edhe studentëve dhe punonjësve të ndërmarrjeve publike. /eo