Shtetet e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

Liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet më 3 nëntor.

Si rrjedhojë e njohjes reciproke të letërnjoftimeve mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës qytetarët do të mundë të udhëtojnë pa viza.

Në këtë samit po marrin pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq - si dhe ata të BE-së.

Scholz: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se nënshkrimi i tri marrëveshjeve të enjten është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholzi gjatë fjalimit hapës në këtë samit, i cili ka mbledhur liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së.

Ai shtoi se realizimi i dëshirës së këtyre vendeve për të hyrë në BE “është në interesin tonë”, ndërsa gjithashtu kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë”, tha Scholzi.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholzi theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e vuri theksin te mbështetja për energji elektrike që Bashkimi Evropian ka ndarë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi këtu për ta thelluar integrimin ekonomik. Duke nisur me energjinë. Pakoja për Mbështetjen Energjike prej njëmilardësh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë ta formësojmë të ardhmen tonë të përbashkët në energji”, shkroi Von der Leyeni në Twitter.

Von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë më 27 tetor, kishte bërë të ditur se BE-ja pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një postim në Twitter, theksoi rëndësinë e ndihmave financiare për mbulimin e kostove të energjisë.

“Gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë e Evropës dhe jetën e njerëzve në Ukrainë. Neve na duhen të dyja: energji e gjelbër dhe e qëndrueshme, por tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe kostot duhet të ndahen. Nevojitet solidaritet dhe mbështetje financiare”, shkroi Kurti.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Takimet në margjina të Procesit të Berlinit

Para fillimit të samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Borrell shkroi në Twitter se gjatë këtij takimi me Kurtin u diskutua për situatën në veri të Kosovës dhe bëri thirrje të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog.

“E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.