Mushkolaj: Osmani tentoi ta fshehë që operimin e bëri në klinikë private

Në mbrëmjen e kaluar Zyra e Presidentes njoftoi se presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar një operimi për heqjen e tëmthit.

Mediat kanë raportuar se operimin Osmani e ka kryer në një klinikë private, duke anashkaluar klinikat e QKUK-së, ku kryhet i njëjti operacion.

Analisti Imer Mushkolaj e ka quajtur zgjedhjen e presidentes Osmani për t’u operuar nga një klinikë private si një shembull të keq, duke thënë se ajo nuk i beson sektorit publik të shëndetësisë, raporton Zeri.info.

Ai më tej thotë se Osmani tentoi ta mbajë të fshehtë nga opinioni publik që operimin e bëri në klinikë private.

“Vetë presidentja nuk i beson sektorit publik të shëndetësisë. Një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjike ajo ka zgjedhur ta bëjë në një klinikë private. Plus provon ta mbajë fshehtë rastin. Fort shembull i keq”, shkroi ai.

Mushkolaj më tej ka thënë se Osmani më 19 tetor kishte vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK dhe kishte falënderuar mjekët për shërbimet, por dy javë më vonë zgjodhi një klinikë private për t’u trajtuar.

“Më 19 tetor presidentja vizitoi Klinikën e Onkologjisë në QKUK dhe tha se shëndetësia duhet të jetë prioritet në Kosovë. Ajo falënderoi edhe mjekët për punën që bëjnë. Dy javë më vonë, Vjosa Osmani injoroi spitalin publik, i nënçmoi këta mjekë dhe kreu një operacion të thjeshtë në klinikë private. Hipokrizia ka emër”, shkroi ai. /Zëri