Ushtria serbe pretendon se ka rrëzuar një dron komercial në Kopaonik

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha më 2 nëntor se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.

Qendra e skijimit e Kopaonikut gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën.

Pasdite, njësitë e ushtrisë serbe pas detektimit dhe monitorimit, kanë neutralizuar një dron komercial që po lëvizte nga Kopaoniku drejt Rashkës, u tha në njoftim.

Siç u tha në deklaratën e ministrisë serbe, droni u rrëzua duke përdorur masat e pengesave elektronike në afërsi të objekteve ushtarake të garnizonit të Rashkës.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë nuk u dhanë më shumë detaje për dronin dhe as në pronësi të kujt ishte.

“Ushtria veproi në përputhje me urdhrin e presidentit të republikës, njëherësh komandantit suprem të forcave të armatosura serbe, Aleksandar Vuçiq, dhe po ndërmerr masa për të detektuar, gjurmuar dhe neutralizuar dronët në afërsi të ndërtesave ushtarake”, u tha në njoftim.

Ministria serbe tha po ashtu se ushtria do të vazhdojë të veprojë në përputhje me urdhrin e Vuçiqit, dhe të rrëzojë të gjithë dronët që gjen në zonën e ndalim-fluturimit dhe në afërsi të ndërtesave ushtarake.

Më herët gjatë 2 nëntorit, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se Vuçiq ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”.

Ai tha se më 1 nëntor ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmëria, për shkak të, siç është shprehur, situatës në Kosovë, por atë ditë nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhej me Kosovën.

Raportimet e disa mediave më 1 nëntor që thoshin se “dronët që janë vërejtur mbi Serbi” kanë hyrë nga territori i Kosovës, janë hedhur poshtë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj. /REL