Biznesmeni Ejupi reagon pas rastit në Pejë, fton institucionet të merren seriozisht me rasitin

Po vazhdojnë reagimet e shumta pas rastit në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, ku një e moshuar është sulmuar fizikisht nga një infermiere, derisa disa të tjera kanë incizuar momentin dhe nuk kanë reaguar fare për të ndal dhunën.

I shokuar është shprehur edhe biznesmeni kosovar Remzi Ejupi, i cili ka ftuar institucionet të merren seriozisht me rastin dhe të kujdesen që të tilla ngjarje mos të përsëriten nëpër institucionet ku në fakt kanë qëllim kujdesin ndaj kësaj kategorie.

“Jam shokuar dhe tronditur nga rasti që ka ndodhur në shtëpinë e të moshuarve në Pejë ku një grua u sulmua pamëshirë nga një infermiere e këtij institucioni, e cila në fakt do të duhej të kujdesej për të.

Edhe më të rëndë e bën që e moshuara që u sulmua është nënë e një dëshmori që ka dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

Uroj që institucionet ta trajtojnë me seriozitetin më të madh këtë rast dhe të angazhohen më shumë që raste të tilla mos të përsëriten”, ka shkruar Ejupi.

Drejtuesi i kompanisë Eurokoha, ka përmendur rastet kur ka ndihmuar shtëpitë e të moshuarve dhe kategoritë tjera që kanë pasur nevojë, ndërsa është shprehur i gatshëm që t’i dal në ndihmë edhe të moshuares nga Peja.

“Bashkë me kompaninë Eurokoha që drejtoi dhe FC Prishtina, angazhohemi që sa më shumë të jemi afër kësaj kategorie mjaft të ndjeshme të shoqërisë tonë. Ku shpesh i vizitojmë dhe përkrahim në mënyra të ndryshme. Ashtu siç jam i gatshëm të ndihmojë këtë nënë dëshmori nga ky moment kurdo dhe për çdo gjë që ka nevojë.

Të moshuarit kanë nevojë për përkrahje, dashuri e mirëqenie nga të gjithë ne”, ka shkruar Ejupi në Facebbok, ndërsa ka lënë edhe porosinë “Dhuroni dashuri për prindërit”. /Zëri