Reagon Haxhiu pas sulmit në Pejë: Ky s’mund të jetë rasti i vetëm, hetimet duhet të thellohen

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dënuar ashpër rrahjen e një të moshuare nga punonjëset e një qendre të të moshuarve në Pejë, duke thënë se hetimet në lidhje me rastin duhet të thellohen.

Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj në Facebook, ka thënë se bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet, është i nevojshëm për të zbuluar edhe raste të tjera të dyshuara, raporton Zeri.info.

“Sjellja abuzuese e mizore, ndaj një të moshuare në Pejë, na ka tronditur të gjithëve. Në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria, janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.

“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”.

“Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jep llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. /Zëri