Oda e Infermierëve: Jemi duke verifikuar nëse personat që sulmuan të moshuarën janë të kualifikuar

Oda e Infermierëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj të moshuarës në një shtëpi për të moshuar në Pejë nga një infermiere teksa disa të tjera e filmojnë dhe nuk ndërhyjnë.

OIK në reagim e dënon ashpër sjelljen e infermiereve teksa kanë thënë se janë duke bërë verifikimet e duhura për të parë nëse të njëjtat janë të kualifikuara.

“Sjellje të tilla janë të pa pranueshme dhe OIK është në verifkim të informacioneve nëse bëhet fjalë për ndonjë anëtare të saj apo siç ndodhë shpesh institucionet angazhojnë persona të pa kualifikuar e që me sjelljet e tyre ndikojnë direkt në imazhin e komunitetit shëndetësor. Sjellje të tilla nuk u përkasin punonjësve shëndetësorë andaj OIK i dënon ashpër ato dhe sapo të marrë informacion më të detajizuar dhe zyrtar dhe nëse rezulton se personi në fjalë është anëtare e OIK, do të veprohet konfirm legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e OIK.

Prokuroria ka bërë të ditur se janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Sulmi’”.