QKRMT: Dënojmë përdorimin e dhunës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me shqetësim ka marrë videon e publikuar në mediat sociale, ku shihet një e moshuar duke u keqtrajtuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Bazuar në pamjet e publikuara, shihet qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj një të moshuare në ambientet e një Shtëpie për të Moshuar. Sipas pamjeve të publikuara, veprimet e punonjësve të këtij institucioni përveç veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose
autorizimeve publike”, kanë elemente edhe të veprës penale të “Torturës”, thuhet në njoftim.

Përdorimi i Torturës apo çfarëdo forme të keqtrajtimit është i sanksionuar sipas legjislacionit në Kosovë, ashtu siç është e definuar me Konventën Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe me Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera
Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë.

QKRMT u bën thirrje autoriteteve publike qa sa më parë ta trajtojnë këtë rast dhe të ndëshkohen personat e përfshirë. Gjithashtu, QKRMT u bën thirrje institucioneve qeveritare për mbikëqyrje efektive të trajtimit të personave të vendosur në institucione të veçanta siç janë shtëpitë e të moshuarve. QKRMT do të monitorojë veprimet institucionale ndaj këtij rasti. /Zëri