Analistët: Situata mund të tensionohet në fazat e mëvonshme

Sonte është diskutuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të shkallëzuara për targat, që kanë hyrë në fuqi nga sot (1 nëntor) dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë – Serbi.

Për të folur rreth temës të ftuar ishin: Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, Bujar Dugolli, profesori universitar, Seb Bytyqi, profesori universitar dhe Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

Profesori universitar, Bujar Dugolli, tha se tensionet lidhur me konvertimin e targave nga ato ilegale në ato RKS janë të fryra nga Serbia, për të krijuar e imponuar çështjen e dialogut dhe për atë as që do të duhej komentuar këto vendime, por vetëm të zbatoheshin ato.

“Çështja e tabelave të makinave është një proces i zgjatur, që prej kohës së UNMIK-ut, kur u aplikuan tabelat KS si fazë tranzitore. Por marrëveshja e arritur në Bruksel, më 2016, u sfidua nga Serbia dhe nuk filloi të zbatohet, kjo kryesisht për shkak të strukturave paralele në veri të Kosovës”, tha Dugolli.

Sipas tij, kjo bëhet me qëllim që të arrihet një asociacion çfarë serbët duan ta kenë. Sa i përket për tensionimin e situatës, kjo mbetet të shihet në periudhat e mëvonshme.

Ndërsa, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, në emisionin “Prime”, në RTK tha se çështja e targave në asnjë mënyrë nuk mund të shihet e shkëputur nga zhvillimi i tërësishëm i ngjarjeve dhe të lidhur ngushtë me zhvillimin e dialogut dhe fazën ku ka hyr zhvillimi i dialogut, por edhe me rrethanat tjera ndërkombëtare, siç është edhe lufta në Ukrainë.

Ai tha se dialogu është duke u zhvilluar në një fazë mjaft kritike.

“E në qoftë se qeveria arrin të implimentojë dhe të zbatojë këtë vendim të zbutur, ku sipas mendimit tim qeveria s’ka nevojë fare të bëj dialog, nëse qeveria është e zonja ti implementojë pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do të ishte absurde që të bisedonim për energjinë elektrike e për çka do qoftë, kur është shumë e thjesht t’i zbatojmë, sepse ne kemi të drejtë, gjë që e thonë edhe SHBA-ja e BE-ja, që është e drejt legjitime që shteti ti bëj targat unike në krejt territorin e vet”, tha Klinaku.

Sipas tij, u shmangën tensionet apo jo është ashtu si e shohim ne, por DASH ka thënë se ne nuk e kemi kërkuar këtë.

Edhe profesori universitar, Seb Bytyqi, thotë se me vendimin e Qeverisë tani janë evituar tensionet për targat në veri, por për të ardhmen mbetet të shihet.

Kjo, sipas tij, varet nga porositë të cilat Beogradi do të dërgon të serbët në veri të Kosovës.

Kurse Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, tha se është lidhur me konvertimin e targave është dashtë  të ketë një fushatë më të gjatë dhe më çështje konkrete.

“Mendoj se në fazën e parëm pereleminare, nuk do të kemi tensione, por në faza e dytë është më kritike, atëherë kur të fillohet me shqiptimin e gjobave mund të ketë tensionime, kjo do të jetë në fazë sfiduese për Policinë e Kosovës”, tha Ibishi.

Ai beson e që edhe policët në veri të Kosovës, edhe ata serbë, do ta kryejnë me sukses dhe përkushtim detyrën në zbatimin e vendimit përkundër trysnisë që kanë nga Beogradi, raporton rtk.

Sipas tij, faza e tretë do të jetë me e vështirë kur dënimet do të jenë më të larta. Ibishi thotë se në fazat e mëvonshme mund edhe të priten tensione.