Telekomi fiton kontestin 10-milionësh në Arbitrazh

Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se ka fituar një kontest gjyqësor në Tribunalin e Arbitrazhit, ku një kompani nga fusha e IPTV-së i kërkonte dhjetë milionë euro.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Telekomi është në pritje të kompensimit të shpenzimeve të përfaqësimit, raporton Zeri.info.

Telekomi se ka bërë të ditur emrin e kompanisë, por bëhet fjalë për kompaninë me prejardhje amerikane “Intercom Ventures Kosovo”, e cila kërkonte 10 milionë euro nga Telekomi, me pretendimet se nuk e kishte paguar për shërbimet e kontraktuara.

“Me Vendimin e Arbitrazhit është refuzuar në tërësi padia e Paditësit - një kompanie nga fusha e IPTV, në vlerën prej mbi 10 Milionë EUR (dhjetë milionë Euro), derisa janë konfirmuar në tërësi veprimet e ligjshme të Telekomit të Kosovës. Në një situatë të tillë, Telekomi i Kosovës tashmë është në pritje edhe të rikuperimit për shpenzimet financiare, përkatësisht kompensimit të shpenzimeve të përfaqësimit”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

Kujtojmë se ky rast kishte nisur në vitin 2018, ku kjo kompani kishte ngritur padi ndaj Telekomit në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike. /Zëri