Tetë vjet e 10 muaj burg dhe 15 mijë euro gjobë të akuzuarit për import, shitje të armëve dhe municionit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Arben Latifit, Hasip Zeka dhe Muhamet Latifit, për import e shitje të armëve dhe municionit dhe vjedhje të rëndë në tentativë.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Arben Latifi për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”, është dënuar më 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa për veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” është dënuar më 3 vite burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik prej 4 vite e 10 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndërsa të akuzuarit Hasip Zeka dhe Muhamet Latifi secili veç e veç për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”, u dënuan me nga 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Sipas gjykatësit Konxheli, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të akuzuarit janë liruar nga akuza pasi që prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale gjatë shqyrtimit gjyqësorë.

Të akuzuarit po ashtu janë të obliguar t’i paguajnë shpenzimet procedurale dhe atë secili veç e veç nga 100 euro për paushallin gjyqësorë dhe nga 50 euro për kompensim të viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 dhjetor 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Arben Latifi, Hasip Zeka dhe Muhamet Krasniqi nga 11 dhjetori 2020 e deri më 25 mars 2021 në Ferizaj, Viti, Gjilan dhe qytete të tjera të Kosovës, në bashkëkryerje janë marrë me importin dhe shitjen e armëve dhe municioneve si dhe pajisjeve të tjera të armëve, të cilat i kanë importuar kryesisht nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia dhe ua kanë shitur personave të ndryshëm në Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht i akuzuari Zeka i kishte blerë armët nga persona të paidentifikuar deri më tani, ua ka shitur shumë personave e pastaj ka arritur marrëveshje me të akuzuarin Latifi e më vonë edhe me Krasniqin, të cilët më pas armët e blera nga Zeka ua kanë shitur personave të tjerë.

Tutje në aktakuzë thuhet se me rastin e kontrollit dhe me urdhër të gjykatës në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të akuzuarve janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë automatike AK-47, një pushkë gjuetie, tri revole, ku njëra prej tyre me gaz, një armë ushtarake, 7 mijë e 100 copë fishekë të armëve, tri predha të armës ushtarake, gjashtë copë mbushës për armë, një thikë ushtarake si dhe 15 karikatorë, 2 kondakë të pushkës dhe dy mekanizma pjesë të AK-47.

Me këto veprime, ata ngarkoheshin nga prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”, nga Neni 364, par. 2 lidhur me par. 1 dhe Nenin 31 të KPRK-së.

Gjithashtu prokuroria i ngarkonte të akuzuarit edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366, par. 2, lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Arben Latifi edhe me veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”, nga Neni 315, par. 2, nënpar. 2.6, lidhur me par. 1 dhe Nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhej se Latifi më 17 tetor 2020 në Ferizaj, pas marrëveshjes paraprake në bashkëkryerje edhe me disa persona tani për tani të panjohur, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së paluajtshme e që vetes t’i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, kanë tentuar që me eksploziv të vjedhin paratë nga bankomati i bankës “Raiffaiesen Bank”, mirëpo nuk kanë arritur që t’i vjedhin paratë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.