Vdes ish-kryetari i LDK-së në Pejë

Ka vdekur ish-kryetari i LDK-së në Pejë, Ymer Muhaxheri, i cili njëherësh është edhe axha i kryetarit aktual të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Gazmend Muhaxheri, përmes një postimi në Facebook, e ka dhënë lajmin për vdekjen e axhës së tij.

“Vdekja nuk është fjala e fundit, Axhë. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Muhaxheri në postimin e tij.

Kush ishte Ymer Muhaxheri?

Ymer Muhaxheri kishte lindur më 15.10.1929, ndërsa i kishte shërbyer arsimimit të Kosovës për 40 vjet. Ai kishte qenë profesor i filozofisë.

Ndryshe, Muhaxheri ishte kryetar i LDK-së në komunën e Pejës gjatë viteve ’90 dhe gjatë asaj periudhe kohore, te pjesa dërrmuese e qytetarëve pejanë, kishte autoritetin e krahasuar me atë të presidentit Ibrahim Rugova.

Ndërkaq, ishte zgjedhur edhe deputet në periudhën e parë legjislative të Kuvendit të Kosovës (17.11.2004 – 21.11.2004).

Në vitin 2019 ishte shpallur qytetar nderi në Komunën e Pejës.