Tre ish-ministra sot dëshmojnë në Komisionin Hetimor për Energji

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, me fillim në orën 14:00, sot do të mbajë mbledhje.

Në këtë mbledhje do të bëhet intervistimi i dëshmitarëve për periudhën 2008-2011.

Intervistimi do të fillojë me Justina Pula-Shirokën, ish-ministre e Ekonomisë, pastaj me Lutfi Zharkun, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe Ahmet Shalën, ish-ministër i Ekonomisë.

Ndryshe, deri tash ky komision ka mbajtur disa mbledhje.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, si dhe anëtari tjetër deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të jenë deputetët Armend Muja, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, zëvendëskryesues Armend Muja.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) anëtare është deputetja Time Kadrijaj.

Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.

Kuvendi ka krijuar dy komisione hetimore për energjinë, që ngjallën debate në Kuvendin e Kosovës dhe që ishin “mollë sherr” mes pozitës dhe opozitës.