Familjet në kampet siriane bëjnë “live” në Tik Tok, kompania iu merr 70% të fitimeve
Familjet e vendosura në kampet siriane po luten për dhurime në Tik Tok teksa kompania përfiton 71% të tyre, ka zbuluar “BBC”.
Fëmijët dalin “live” për orë të tëra, duke u lutur për dhurata dixhitale me vlerë monetare. “BBC” pa që në këto video vlera arrinte deri në 900 Dollarë për një orë, por njerëzit në këto vende marrin mbrapsht një fragment farë të vogël të këtyre parave.
Tik Tok tha se do të ndërmarrë veprim të menjëhershëm për “lypjet shfrytëzuese”. Kompania tha se kjo lloj përmbajtjeje nuk lejohet në platformë dhe se komisioni që ajo përfiton është më pak se 70%. Por nga ana tjetër, refuzoi të konfirmonte shumën e saktë.
Më herët gjatë këtij viti, përdoruesit e Tik Tok vunë re se në faqet e tyre kryesore shfaqeshin video “live” të familjeve në kampet siriane, gjë që tërhoqi vëmendjen e tyre dhe ngriti shqetësime. Në kampet e Sirisë veriperëndimore, “BBC” zbuloi se trendi mundësohej nga të ashtuquajturit “ndërmjetës të Tik Tok”, të cilët i jepnin familjeve pajisjen dhe gjithçka që të transmetonin.
Ndërmjetësit thanë se punonin me agjenci të lidhura me Tik Tok në Kinë e Lindjen e Mesme, të cilat iu jepnin familjeve akses në llogaritë e Tik Tok. Këto agjenci janë pjesë e strategjisë globale të kompanisë për të rekrutuar transmetues dhe për të nxitur përdoruesit që të kalojnë më shumë kohë në aplikacion.
Duke qenë se algoritmi i tij sugjeron përmbajtje bazuar në origjinën e kartës SIM të përdoruesit, ndërmjetësit thanë se preferonin karta britanike për shkak se janë dhuruesit më bujarë.
Mona Ali-Al Karim dhe 6 fëmijët e saj janë një prej familjeve që bëjnë “live” në Tik Tok çdo ditë, ulur në dyshemenë e çadrës së tyre për orë të tëra, duke përsëritur ato pak fjali që dinë në anglisht: “Ju lutemi, pëlqejeni, ju lutemi, shpërndajeni, ju lutemi dhuroni”.
Bashkëshorti i Mona u vra në një sulm ajror dhe ajo po përdor këtë metodë për të mbledhur para për operacionin e vajzës së saj, e cila është e verbër.
Dhuratat që ata kërkojnë janë virtuale, por përkthehen në para të vërteta. Shikuesit mund të dërgojnë dhurata nga trëndafilat që kushtojnë disa cent deri në luanë virtualë që kushtojnë rreth 500 Dollarë, një mënyrë shpërblimi për krijuesit që i përkushtohen shpërndarjes së përmbajtjeve./tvklan.al