Klinasi mbante nën kërcënim të armës ish-gruan dhe dy vajzat e saj, ndërhyn policia

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Sferkë të Klinës, nën dyshimin për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Policia ka njoftuar se ai është arrestuar, pasi ka mbajtur pa dëshirën e tyre ish-bashkëshorten dhe dy vajzat e saj në shtëpinë e tij.

"Më datë 10 tetor 2022 rreth orës 18:00, Stacioni Policor Klinë, ka pranuar informacion nga Drejtoria e Zbatimit Ndërkombëtar të Ligjit, ( ILECU) DPP Prishtinë, se një shtetase Austriake së bashku me dy vajzat e saj, është duke u mbajtur pa deshirën e saj nga ish- bashkëshorti në shtëpinë e tij në fshatin Sferkë-Klinë, i cili poashtu dyshohet se posedon armë zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, ka arrestuar personin e dyshuar, ndërsa viktima së bashku me vajzat e saj janë shoqëruar në Stacionin Policor në Klinë.Viktima është intervistuar në prezencën avokatit mbrojtës dhe përkthyesit ligjor, pas intervistimit e njëjta është dërguar në shtëpinë e sigurt", thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se i dyshuari, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë bisedës me prindin e të dyshuarit, i njëjti pranon se posedon një armë ‘AK 47’, një karikator të së njëjtës armë dhe dyzet e tre (43) copë fishekë të kalibrit 7.62 x 39 mm. Arma është sekuestruar nga hetuesit. I dyshuari për rastin e armës pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë te rregullt”, thuhet në njoftim. /Zëri

Arma e sekuestruar