I akuzuari pranon fajësinë se kontrabandoi një viç nga Serbia në Kosovë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për 19 euro

I akuzuari F.B. e ka pranuar fajësinë se në qershor të këtij viti, përmes rrugëve ilegale, ka kontrabanduar një viç nga Republika e Serbisë në atë të Kosovës, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 19 euro.

Pranimin e fajësisë F.B. e ka bërë të martën në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Gjilan, Dega në Kamenicë, pasi prokurorja Leonora Shemsiu-Kadriu ia lexoi atij aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Viçi i posalindur u kon, 2-3 javë u kon. Amo e pranoj. Nuk e kom këqyr prej kahit e kanë pru”, deklaroi i akuzuari.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Shemsiu-Kadriu dhe këtë e ka aprovuar gjykatësi Sadri Krasniqi.

Gjykatësi Krasniqi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet nesër (28 shtator 2022).

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 22 qershor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., me arsyetimin se ai në qershor të këtij viti, përmes rrugëve ilegale nga fshati Breznicë i Republikës së Serbisë, ka hyrë në fshatin Novosellë të Kamenicës, përkatësisht në territorin e Republikës së Kosovës duke kontrabanduar një viç, të cilin e ka bartur me furgonin “Fiat”, e që pas ndaljes së të njëjtit nga zyrtarët policorë, gjatë kontrollit i gjendet viçi në fjalë për të cilin i akuzuari nuk ka poseduar dokumentacion mbi prejardhjen e tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me këtë rast i është shmangur obligimeve doganore në vlerë prej 19 euro e 2 centësh, me të cilën shumë e ka dëmtuar Republikën e Kosovës.

Me këtë F.B. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga Neni 311, paragrafi 2 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.