Bislimi për liberalizimin e vizave: Kemi besim se kjo çështje shumë shpejt do të ketë zgjidhje finale

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha sot se janë në bashkëpunim të ngushtë me secilin qeveri të shteteve të Bashkimit Evropian dhe janë duke adresuar çdo brengë që mund të kenë lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Bislimi në një konferencë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ku nënshkruan programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerën 63.96 milionë euro, tha se kanë besim se çështja e liberalizimit të vizave do të marrë shumë shpejt zgjidhje finale.

“Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me secilën qeveri të Bashkimit Evropian dhe jemi duke adresuar çfarëdo brenge dhe jemi shumë konfident se do të marrë zgjidhje finale”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bislimi në këtë konferencë për media nuk u përgjigj në pyetjet e tjera që nuk kanë të bëjnë me programin IPA, raporton Telegrafi.

Ndryshe, një ditë më parë në Samitin e 11-të Bërdo-Brijunit u bë thirrje që të përfundojë procesi i liberalizimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj t’i hiqet regjimi i vizave.

Në këtë samit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj ka bërë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që kanë kaluar katër vjet nga konfirmimi nga ana e BE-së se janë përmbushur të gjitha kriteret.

Osmani mosheqjen e regjimit të vizave e ka quajtur të padrejtë dhe diskriminues, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të realizojë premtimin e dhënë gjatë udhëheqjes së Presidencës Çeke këtë vit.

“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, deklaroi Osmani.