Kryetarët e komunave të LVV-së, thirrje prindërve t’i dërgojnë fëmijët në shkolla
Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sot kanë mbajtur një konferencë për media.
Në këtë konferencë, katër kryetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre me mosfillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa i kanë bërë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe kanë apeluar tek mësimdhënësit që të kthehen në procesin mësimor, transmeton Zeri.info.
Kështu ka njoftuar kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Sot bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, në konferencë për media kemi paraqitur shqetësimet tona lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”
“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën”, ka shkruar Bulliqi.
Ai ka përmendur se Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe “është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”. /Zëri