Në izolim prej 26 vitesh, vdes në Brazil anëtari i fundit i fisit indigjen

Anëtari i fundit i mbetur i një grupi indigjen të pakontaktuar në Brazil ka vdekur, thonë zyrtarët.

Burri, emri i të cilit nuk dihej, kishte jetuar në izolim total për 26 vitet e fundit, shkruan BBC.

Sipas mediave të huaja, ai njihej si “Njeriu i vrimës” sepse hapi gropa të thella, disa prej të cilave i përdori për të zënë në kurth kafshët, ndërsa të tjerat duket se ishin hapësira të fshehura.

Trupi i tij u gjet më 23 gusht jashtë kasolles së tij prej kashte, ndërkohë raportohet se nuk kishte shenja dhune.

“Njeriu i vrimës” mendohet se ka qenë rreth 60 vjeç dhe ka vdekur për shkaqe natyrale.

Burri ishte i fundit i një grupi indigjen. Gjashtë anëtarët e tjerë që ishin së bashku me të, u vranë në vitin 1995. Grupi jetonte në zonën indigjene Tanaru në shtetin Rondônia, i cili kufizohet me Bolivinë.

Shumica e fisit të tij mendohej se ishte vrarë qysh në vitet 1970 nga fermerët që donin të zgjeronin tokën e tyre.