Pesë të arrestuar në Pejë e Gjakovë, konfiskohen armë dhe 107 bimë kanabis sativa

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm që është zhvilluar në rajonin e Pejës, duke bërë të ditur se aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe në rajonin e Gjakovës.

Sipas njoftimit të PK-së, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, më 25.08.2022, kanë zhvilluar operacione policore në rajonin e Pejës dhe në rajonin e Gjakovës.

“Operacioni policor i zhvilluar në rajonin e Pejës ka ardhur si rezultat i zhvillimit të hetimeve intensive me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale, ku të përfshirë kanë qenë disa persona të dyshuar për trafikim të armëve. Gjatë operacionit policor janë identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Zeri.info.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse prona të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave dhe dëshmive, ku janë gjetur dhe konfiskuar: Pesë armë (një AK-47 dhe katër revole), një predhë trombloni dhe dyqind fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dëshmi tjera.

“Operacioni policor i zhvilluar në rajonin e Gjakovës, njësitë policore nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotik e asistuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Njësia e Krim Teknikës, në fshatin Lug-Bunar – Gjakovë kanë realizuar një operacion policor.

Këtij operacioni policorë i kanë paraprirë procedurat e aplikimit të masave të fshehta të hetimit në kuadër të parandalimit dhe luftimit të dukurisë së kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i zhvillimit të këtij plani operativ është identifikuar një person i dyshuar mashkull/kosovar, i cili është arrestuar pasi në një zonë malore të lokacionit të lartpërmendur kishte kultivuar bimë narkotike të llojit ‘kanabis sativa’, ku janë gjetur gjithsej njëqind e shtatë bimë të llojit të lartcekur, me një gjatësi prej 2.5 m, të cilat me udhëzim të prokurorit kompetent janë shkatërruar, ndërsa një pjesë e tyre janë marrë për ekzaminim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Si rezultat, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse, pronë e tij, është kryer kontroll ku janë gjetur dhe konfiskuar: një armë automatike “AK-47” me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë, një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë.

Në lidhje me rastet e cekura për të gjitha veprimet e marra është njoftuar prokurori kompetent, me aktvendim të të cilit ndaj të dyshuarave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Zëri