Noterët, të pakënaqur me vendimin e ministres Haxhiu për uljen e tarifave noteriale
Ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënshkroi një udhëzim, përmes të cilit ulen tarifat noteriale.
Por, me këtë vendim të ministres Haxhiu nuk është e kënaqur Oda e Noterëve të Kosovës, e cila kanë thënë se ky është një veprim i ngutshëm.
Sipas Odës, zvogëlimi i tarifave noteriale do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të të punësuarve në këtë sektor.
“Nënshkrimin e këtij udhëzimi me ulje të tarifave noteriale pas 10 vjetësh punë, kur të gjitha shërbimet dhe kostot tjera për këtë periudhë janë rritur, e konsiderojmë të ngutshëm, të paanalizuar mirë dhe të pambështetur në analizat dhe raportet ndërkombëtare të prezantuara në grupet punuese”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ministrja Haxhiu ka thënë se me udhëzimin e ri pamundësohet tarifimi i vërtetimit të dokumenteve që ruhen në dosjen e aktit noterial, me çka ulen dukshëm shpenzimet e palës pranë noterit. /Zëri