Të shtëna armësh në aheng, policia arreston një 63-vjeçar në Gjilan
Një 63-vjeçar është arrestuar të dielën në Gjilan, nën dyshimin se ka përdorur armën në një aheng.
Policia ka njoftuar se të dielën ka pranuar një informatë se në Gjilan, rruga e Prishtinës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku më pas patrulla policore ka arritur të lokalizojë vendin e ngjarjes, ku ka takuar të dyshuarin E.I.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur prova materiale se i dyshuari gjatë një ahengu familjar ka shtënë disa herë me armë zjarri.
“Arma e llojit ‘Below TR17’, së bashku me gëzhojat e armës përkatëse, janë konfiskuar si dëshmi materiale për Gjykatë. I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti me kallëzim penal për veprat penale ‘Armëmbajtje pa leje’, ‘Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, të procedohet së bashku me provat në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri