39-vjeçari del me armë nga shtëpia, familja e lajmëron në Polici - arrestohet i dyshuari

Intervenimi i shpejtë i Policisë në Mitrovicë ka bërë të parandalohet një person, i cili kishte dalë me armë zjarri nga shtëpia, nga lëndimi i vetvetes dhe të tjerëve.

Sipas njoftimit të PK-së, në orët e mbrëmjes, të datës 21.07.2022, Policia ka pranuar një informatë nga ankuesi, se një familjar i tij kishte dalë nga shtëpia me armë të zjarrit, raporton Zeri.info.

“Pasi personi në fjalë posedonte armë dhe mund ta rrezikonte vetveten ose edhe dikë tjetër, reagimi i Policisë ka qenë mjaft i shpejtë, ku edhe është arritur të lokalizohet vendndodhja e personit, si dhe është arritur të evitohet rreziku i lëndimit të vet personit ose edhe dikujt tjetër”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, po ashtu bëhet e ditur se Policia ka arrestuar dhe shoqëruar në Stacionim Policor personin H.T., 39-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili kishte pasur në posedim armën e llojit pistoletë, e cila është sekuestruar në cilësi të provës materiale.

“Në lidhje me rastin janë intervistuar dy dëshmitarë, ndërsa i dyshuari H.T.,pasi ishte nën ndikim të alkoolit, nuk është intervistuar. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, të dyshuarit në fjalë i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti dhe do të vazhdojnë hetimet në drejtim të veprës penale ‘Mbajtje ne pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri