Kosovë, merr mësim!
Projektrezoluta e propozuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë mbi pabazueshmerinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshme të organeve njerëzore në Kosovë e Shqipëri, hap i duhur dhe i domosdoshëm.
Në rrethana normale dhe në vendet demokratike drejtësia e veçmas gjykata është e pavarur dhe duhet të funksionojë e pandikuar, por kur gjykata vihet në shërbim të organit të akuzës, atëherë shtohen shumë dilema, e kur kërkesat e prokurorisë aprovohen “bllanko” nga gjykata, është sinjal për reagim.
Ndonëse u përkas deputetëve që i kanë dhënë mbështetje themelimit të kësaj gjykate, duke qenë thellësisht i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, për më shumë sesa kaq, pretendimet dashakeqe të raportit të Dick Martyt, edhe pse u ngjanin filmave fantastiko-shkencor, kam qenë i bindur se duhej zbardhur dhe hedhur poshtë. Gjyqi, kam besuar, do ta rikonfirmonte se lufta jonë për liri ka qenë luftë çlirimtare, e drejtë dhe e pastër.
Megjithatë, kur sheh veprimet e Gjykatës Speciale, e cila më shumë i ngjan një organi të vënë në shërbim të kërkesave të prokurorisë, reagimi si ky i Shqipërisë me këtë projektrezolutë bëhet obligim kombëtar.
Përmes këtij reagimi, mbrohet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si guerilja më e suksesshme e shekullit XX dhe jo vetëm, por është në funksion dhe shërbim të mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut po bëhet në mënyrë permanente, duke u mbajtur në paraburgim padrejtësisht, pa u përmbushur asnjë kusht ligjor, krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë aleate të NATO-s, të cilat së bashku u vunë në shërbim të mbrojtjes së jetës së popullatës civile dhe kundër akteve gjenocidale të shtetit serb.
Shqipëri, ju lumtë!
Kosovë, merr mësim, vepro!