Borell: Rusia duhet të zgjedhë midis “topave” dhe “gjalpit”

Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë në lidhje me pushtimin e saj në Ukrainë tashmë kanë një ndikim në ekonominë ruse dhe ky ndikim do të rritet në të ardhmen.

Këtë pikëpamje e shpreh edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, në analizën e tij me titull “ Moska do të duhet të zgjedhë ose gjalpë ose armë”.

Sipas Borel, nuk ia vlen të shpresohet se sanksionet do të ndryshojnë llogaritjet strategjike të presidentit rus Vladimir Putin në të ardhmen e afërt, sepse ai nuk udhëhiqet kryesisht nga arsye ekonomike. Megjithatë, ai është i bindur se me kalimin e kohës, udhëheqja ruse do të detyrohet të zgjedhë midis “topave” dhe “gjalpit”, domethënë nëse do të vazhdojë luftën apo do të zgjedhë të ruajë standardin e jetesës së popullit të saj.

Borrell thekson se BE-ja gradualisht po largohet nga varësia e saj energjetike nga Rusia. “Deri në fund të vitit 2022, ne do të kemi reduktuar importet ruse të naftës me 90% dhe po reduktojmë me shpejtësi importet e gazit natyror. Këto vendime po na çlirojnë gradualisht nga një varësi që prej kohësh ka penguar zgjedhjet tona politike përballë agresionit të Vladimir Putinit.

‘Borrell shkruan se Putin “ndoshta besonte se Evropa nuk do të guxonte të vazhdonte me sanksione për shkak të varësisë energjetike”.

Shefi i diplomacisë evropiane shkruan se “disa mund të vënë në dyshim nëse këto sanksione kanë vërtet ndikim në ekonominë ruse.” “Përgjigja e thjeshtë është po. Edhe pse Rusia eksporton shumë lëndë të para, ajo gjithashtu nuk ka zgjidhje tjetër veçse të importojë shumë produkte me vlerë të lartë të shtuar që nuk i prodhon. Për të gjitha teknologjitë e avancuara, ajo është 45% e varur nga Evropa dhe 21% nga Shtetet e Bashkuara, krahasuar me vetëm 11% nga Kina.

Borell gjithashtu thekson se sanksionet kufizojnë gjithashtu aftësitë ushtarake të Rusisë, veçanërisht prodhimin e armëve me precizion të lartë. /abcnews