Abdixhiku: Mosliberalizimi i vizave është padrejtësi e rëndë ndaj Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka komentuar mosliberalizimin e vizave për kosovarët, duke thënë se kjo është e drejtë bazike.

Sipas tij çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi, sepse Kosova i ka përmbushur kriteret e përcaktuara, raporton Zeri.info.

“Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorrëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi” shkroi ai.

Abdixhiku ka thënë se nëse Samiti i BE-së nuk i jep viza Kosovës, inkurajon forcat destabilizuese në Ballkan.

“Tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm - Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan”, shkroi ai ndë të tjera. /Zëri