Përplasje në Komision për punësimet familjare, Shala Mujës: Ke qenë në PDK, shyqyr që je larguar

Një përplasje verbale ka ndodhur ndërmjet kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi, Ferat Shala dhe deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, pasi ky i fundit foli lidhur me padinë e PDK-së ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), raporton Ekonomia Online.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se në të kaluarën janë bërë punësime familjare, por sipas tij kjo nuk po ndodh më me ardhjen e qeverisjes “Kurti”.

Për punësime familjare Muja sulmoi PDK-në, çka bëri që të reagojë kryetari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.

Shala tha se në një kohë në PDK ka qenë edhe vetë Armend Muja.

“Leje PDK-në, ke qenë dikur e tash e ke lëshuar, mirë ja ke bërë. Le PDK-në, shyqyr që ke dalë. Dashtë Zoti të mbajnë edhe këta tjerët (VV) që të kanë marrë. Këtu je në Komisionin për Ekonomi dhe po më flet për PDK-në”, tha Shala.

Por, Muja mohoi se ka qenë ndonjëherë në PDK.

“Uh zot mos e ban. Kurrë nuk kam qenë në PDK”, u shpreh ai.

“PDK-ja e ka paditur ZRRE-në dhe është e drejtë e saj si subjekt. Por, duhet me qenë ma serioz në komision, kur t’i kërkojmë materialet duhet me i sjellë”, tha Muja.

“Pa marrë parasysh edhe vet me përzgjedh kur e vërejt që puna nuk është e mirë nuk kem obligim kontraktual me ta. Më parë ka qenë më lehtë se janë caktuar njerëz që i keni njohur por tash jo. Nuk është se ndaj këtyre personave po kërkoj që 3 muaj ditë me rregullu gjithçka. Borxhi që po vjetrohet nuk po paguhet”, tha Muja.

Për punësimet familjare të Vetëvendosjes foli deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi. Tha se mund të sjellë edhe dëshmi për këtë fakt.

“Unë e marr obligim dhe përgjegjësi me ua dhënë emrat dhe mbiemrat e bordit të familjarëve të militantëve tuaj. Ju keni punësuar militantët tuaj”, tha ajo.

E për këtë reagoi deputetja e LVV-së, Jeta Statovci, e cila i kundërshtoi pretendimet e Bunjaku-Rexhepit për punësimet e militantëve të LVV-së.