Në pamundësi që ta ndjekin ndeshjen nga “Karagaçi” në përkrahje të Trepçës, “Torcida” me plan “B”

Sonte (e enjte) Peja dhe Trepça do të zhvillojnë ndeshjen e katërt gjysmëfinale të “Play-offit” të Superligës së basketbollit, shkruan Zeri.info.

Ndeshja do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, me fillim nga orën 20:30.

Por, tifozët mitrovicas nuk do të mundë ta përkrahin Trepçën në palestrën “Karagaçi”.

Kjo për faktin se Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që në ndeshjen e sotme prezentë të jenë tifozë të vetëm 25 për qind të kapacitetit të palestrës, e që ata do të jenë pejanë.

Në fakt, Peja ishte dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve shkaku i incidenteve që ndodhën në ndeshjen e tretë gjysmëfinale.

Por, FBK-ja e zbuti dënimin e pejanëve.

E tash, në pamundësi për të qenë në “Karagaçi”, tifogrupi “Torcida” do të shfytëzojë një mundësi të mire për tifozët e tyre.

Tifogrupi mitrovicas përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” njoftuan se së bashku me Komunën e Mitrovicës dhe klubin basketbollistik Trepça do ta organizojnë përcjelljen e ndeshjes së sotme në një projektor gjigant në folenë e tyre, palestrën “Minatori”.

Kujtojmë se Trepça prin 2-1 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të “play-offit”, teksa sonte do të synojë finalen, kurse Peja ta barazojë serinë. /Zeri.info