Elon Musk nxjerr kushte për blerje të Twitter-it

Miliarderi Elon Musk ka thënë të martën se oferta e tij prej 44 miliardë dollarësh për blerje të rrjetit social, Twitter, nuk do të finalizohet nëse nuk vërtetohet se llogaritë fiktive përbëjnë pesë për qind të llogarive totale në këtë platformë.

“Oferta ime ka qenë duke besuar se regjistrimet e Twitterit kanë qenë të sakta. Dje, shefi ekzekutiv i Twitter-it ka refuzuar të tregojë fakte se nën pesë për qind e llogarive janë fiktive. Kjo marrëveshje nuk mund të finalizohet derisa ai të bëjë këtë gjë”, ka thënë Musk përmes një postimi në Twitter.

Pas pezullimit të ofertës për afat të shkurtër kohor, Musk ka thënë se dyshon që llogaritë fiktive në këtë rrjet social përbëjnë 20 për qind të totalit të përdoruesve, në krahasim me pretendimet e Twitter-it për pesë për qind.

“Ju nuk mund të paguani shumën e njëjtë për diçka që është shumë më e keq sesa është pretenduar”, ka thënë ai në një samit në Majami më 16 maj.

I pyetur nëse marrëveshja mund të arrihet me një çmim tjetër, Musk ka thënë në konferencë se nuk përjashton asgjë.

“Sa më shumë pyetje që bëj, aq më shumë më rriten shqetësimet”.

“Ata pretendojnë se kanë metodologji komplekse që vetëm ata e kuptojnë. Nuk mund të jetë aq e mistershme, më kompekse se shpirti e qenia e njeriut apo diçka e ngjashme”.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Twitter, Parag Agrawal, ka thënë të hënën se vlerësimet e brendshme për llogaritë fiktive në katër çerekët e fundit, flasin për llogari të tilla nën pesë për qind.

Megjithatë, ai ka thënë se raportet nuk mund të nxirren në publik, pasi për të verifikuar nëse një llogari është e fiktive, nevojiten informacione publike dhe private.

Musk nuk është pajtuar me këtë deklaratë.

“Si e dinë atëherë reklamuesit se çfarë po marrin në kthim për paratë e tyre? Kjo gjë është thelbësore për shëndetin financiar të Twitter-it”, ka thënë ai.

Aktualisht Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej më shumë se 269 miliardë dollarëve, sipas revistës Forbes. /REL