Konsulenca Franceze viziton KRU ” Prishtina”, do të ndërtohet Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura
Një delegacion i lartë i Konsulencës Franceze,gjatë ditës së sotme kanë vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ” Prishtina”
Sipas njoftimit thuhet se ky ishte edhe takimi i parë startues lidhur me ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, raporton Zeri.info.
Në këtë takim tejet të rëndësishëm për mjedisin tonë , morrën pjesë: zëvendës Ambasadori i Ambasadës Franceze në Prishtinë, z Cyprien Franqois, Atashe për bashkëpunim e Ambasades Franceze Cecilia Maronnier, zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë Mentor Arifaj me stafin e tij, përfaqësues të lartë të kompanisë konsulente ANTEA/BRLI.
Ata u mirëpritën nga Sokol Xhafa kryeshef ekzekutiv, drejtoresha teknike Lumnije Zeka dhe zyrtarët e tjerë të ndërmarrjes.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i pikëve kyçe të kontratës me konsulencën franceze për këtë projekt madhor, ku do të përfitojnë katër komuna të mëdha. Vlera e këtij projekti është 86 milionë euro.
Po ashtu gjatë ditës së sotme realizuan edhe vizita në terren, në vendet ku do të ndërtohet Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura. /Zëri