AFP: Komuniteti LGBTQ i Kosovës bën “jetë të dyfishtë”

Për Flamurin dhe partnerin e tij homoseksual, liria është e kufizuar në katër muret e një apartamenti në Prishtinë. Vetëm prapa kyçit mund të jenë vetvetja, ndërkohë që shoqëria ultra-konservatore jashtë ende e quan dashurinë e tyre “të panatyrshme”.

Çifti kosovar e ka fshehur lidhjen e tyre për tetë vite.

Sa herë që takohen në publik, ftohen miqtë e përbashkët për të mos ngjallur dyshime. Ata gjithashtu hezitojnë të postojnë në rrjetet sociale në të njëjtën kohë.

“Është e vështirë të jetosh një jetë të dyfishtë”, i tha AFP-së Flamuri – një emër i supozuar që ai zgjodhi nga frika e stigmës së mundshme, transmeton Zeri.info.

“Ne vazhdimisht kujdesemi që të mos na vënë re”.

Pavarësisht lidershipit të saj properëndimor, Kosova është një shoqëri kryesisht konservatore dhe homofobia është e përhapur. Më shumë se 90 për qind e popullsisë janë myslimanë.

Ndërsa sondazhet e fundit nuk janë të disponueshme, një studim i vitit 2015 i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) me qendër në SHBA zbuloi se Kosova është vendi më homofobik në Ballkan, një rajon që nuk njihet për pikëpamjet tolerante ndaj seksualitetit.

Më shumë se 80 për qind e kosovarëve LGBT të intervistuar thanë se kishin qenë subjekt i abuzimit psikologjik për shkak të orientimit të tyre seksual, ndërsa 29 për qind raportuan se kishin vuajtur dhunë fizike.

Muajin e kaluar, kishte një fije shprese për ndryshim.

Kryeministri i majtë i Kosovës Albin Kurti bëri presion për një ligj që do të njihte partneritetet civile të të njëjtit seks, por mocioni u refuzua me shumicë dërrmuese nga parlamenti.

Madje edhe shumë përfaqësues të partisë Vetëvendosje të Kurtit votuan kundër, duke përfshirë edhe deputeten e veshur me hixhab, Labinotë Demi Murtezi, e cila çdo marrëdhënie jo-heteroseksuale e quajti “shthurim dhe degjenerim moral”.

“Vullneti i Zotit”

Po të ishte miratuar reforma, Kosova do të bëhej vendi i parë me shumicë myslimane në botë që do të njihte bashkimet e të njëjtit seks.

Flamuri tha se ai beson se “shoqëria në tërësi” nuk është gati për një ndryshim të tillë. Refuzimi i legjislacionit “tregon qartë se sa larg jemi nga të drejtat e barabarta në Kosovë”.

Edhe pse ai i tregoi familjes së tij për seksualitetin e tij, shumica e tyre besojnë se të qenit homoseksual është vetëm një fazë dhe se ai do të ndryshojë një ditë.

Vetëm të afërmit e tij më të rinj e kanë mbështetur dhe kërkojnë që ai të pranohet ashtu siç është.

Por edhe pse Kurti ka vuajtur politikisht për përkrahjen e legjislacionit gjerësisht jopopullor, aktivisti i kthyer në politikan tha se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga lufta për barazi.

Së fundmi ai i tha një stacioni televiziv lokal se dëshiron ta paraqesë reformën në parlament “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Por ai është i sigurt se do të përballet me rezistencë të mëtejshme të ashpër nga një front i unifikuar i atyre që do të kundërshtojnë ligjin.

Edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, kundërshton hapur bashkësitë e homoseksualëve, duke thënë se ata “nuk i përkasin kulturës, traditës në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”.

Çështja frymëzoi udhëheqës të ndryshëm fetarë – myslimanë, katolikë dhe hebrenj – të dilnin kundër legjislacionit duke thënë se ata “nuk do të pranonin kurrë bashkime... midis dy njerëzve të të njëjtit seks”.

“Ne mendojmë se fjala dhe vullneti i Zotit po cenohet drejtpërdrejt”, thuhej në një letër të përbashkët.

Fakti që këto figura fetare qëndruan së bashku për të kundërshtuar bashkësitë e homoseksualëve bëri që analisti politik Rron Gjinovci të ngrejë vetullën.

“Nuk kemi parë kurrë një bashkim të tillë kur është fjala për, për shembull, skandale korruptive”, tha Gjinovci për AFP-në.

Kryeministri ka marrë kërcënime edhe në llogarinë e tij në Facebook.

“Kujdes! Nuk do të qëndroni në karrigen tuaj nëse ligji kalon”, paralajmëroi një postim.

“E pashmangshme”

Shoqëria kosovare është “kapur nga një sistem heteroseksual” i cili i pengon homoseksualët të integrohen në “aktivitetet kryesore ekonomike, politike, kulturore dhe sociale për shkak të identitetit të tyre”, sipas platformës lokale të homoseksualëve në internet “Dylberizëm”.

Ata që janë mjaft të guximshëm për të dalë, si Blert Morina – një nga njerëzit e parë transgjinorë të Kosovës – besojnë se miratimi i ligjit do të ishte “në përputhje me aspiratat e Kosovës për t’u njohur si një shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës”.

Disa personazhe publike, si avokati i njohur Arianit Koci, theksuan se rrota e historisë nuk ndalet.

“Ky trend nuk mund të ndalet... ashtu siç nuk ka mundur të ndalet e drejta e votës e grave apo edhe atyre me ngjyrë”, ka shkruar Koci në “Facebook”.

Megjithëse Flamuri pranon se ndryshimi është “i pashmangshëm”, do të marrë kohë.

“Unë mendoj se lejimi i martesave (të të njëjtit seks) dhe përfitimet që vijnë nga kjo do të ndodhin brenda tetë deri në 10 vjet”, tha ai për AFP-në.

Por disa nuk mund të presin kaq gjatë.

Platforma “Dylberizëm” ndan dëshmi anonime të diskriminimit dhe vuajtjeve që përjetojnë anëtarët e komunitetit homoseksual në Kosovë.

Një lezbike 21-vjeçare tha se ndihet “thellësisht e mjeruar” deri në atë pikë sa të mendonte për vetëvrasje.

“Nëse familja ime e merr vesh, do të më dëbojë”. /Zëri