Kodi Civil nxiti debate në shoqëri, do të bëhen tri formulime për nenin kontestues

Pas dështimit për t’u miratuar Kodi Civil në Kuvend, Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar takime me ekspertë dhe përfaqësues të projektit të BE-së për ta riproceduar atë në legjislativ.

MD-ja nuk ka treguar nëse përmbajtja e tij do të ndryshojë, mirëpo rtv dukagjini mëson se do të bëhen tri formulime për nenin kontestues, i cili ka të bëjë me bashkësitë civile mes personave të gjinisë së njëjtë.

Projektkodi Civil i cili dështoi të miratohet tri javë më parë, nuk dihet akoma se kur do të ridërgohet në Kuvend.

Legjislativi në seancën e 16 marsit dështoi të miratojë këtë projektkod në lexim të parë pasi deputetë të pushtetit dhe opozitës kundërshtuan një nen specifik.

Bëhet fjalë për nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e bashkësive civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Ministria e Drejtësisë thotë se ka pranuar vendimin e Kuvendit dhe se së shpejti do ta riprocedojë dokumentin në këtë institucion.

Mirëpo, MD-ja nuk ka treguar nëse projektkodi do të ndryshojë apo do të dërgohet sërish versioni i njëjtë.

“Gjatë kësaj kohe janë mbajtur takime me ekspertë, duke përfshirë edhe përfaqësues të projektit të Bashkimit Evropian që e ka mbështetë procesin e hartimit të Projekt-kodit Civil. Ndonëse Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk përcakton afat për ri procedim në raste të tilla, këtë dokument me rëndësi të veçantë për sistemin tonë juridik, do ta ri-procedojmë shumë shpejtë për në Kuvend. Për detaje do të njoftoheni me kohë”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër projektkodit, 28 për dhe 4 abstenime.

Televizioni Dukagjini mëson nga burime e veta brenda Ministrisë së Drejtësisë, se pritet të formulohen tri versione të nenit kontestues për të parë se cili nga ta mund të përkrahet nga deputetët e LVV-së.

Por secili prej versioneve përfshin njohjen e bashkësisë civile për komunitetin LGBT.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se duhet të shohë versionin që do ta dërgojë ministria për të dhënë më pas qëndrimet e saj.

“Ne nuk mund të diskutojmë tashmë të shkuarën, projektkodi nuk ka kaluar por duhet të presim draftin e ardhshëm të ri nga Ministria e Drejtësisë për ta trajtuar në Kuvend. Po flas për rëndësinë e projektkodit si dokument i tërësishëm me mbi 1 mijë e 600 nene. Nuk mund ta hedhim poshtë për një nën paragraf aty pa çka se mund të kemi pikëpamje të ndryshme”, ka deklaruar Adnan Rrustemi.

Neni i kontestuar numër 1138 gjendet në kapitullin e martesave të projektkodit që u hodh poshtë.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në pikën 2 të këtij neni.

Mirëpo, përmbajtjen e nenit e kundërshton Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, pasi e vlerëson kundër kushtetues.

“Duhet të rregullohet brenda kodit martesa. Terminologjia bashkësi civile në asnjë pjesë të legjislacionit të Kosovës nuk është i përkufizuar dhe kështu që mendoj që është e papranueshme dhe mendoj që Kodi Civil duhet të jetë në frymën dhe gjuhën e njëjtë sikur Kushtetuta e Kosovës”, tha Arbër Nuhiu.

Neni 37 i Kushtetutës, pika 1 thotë se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.

Kurse pika 2 e këtij neni, përcakton që martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. /telegrafi/