Raportohet për dhunë në një familje në Shtime, policia sekuestron edhe armë

Stacioni policor në Shtime ka pranuar një informacion gjatë ditës së sotme për një rast të dhunës në familje, ndodhur në fshatin Godanc i Ulët në Shtime.

Policia ka njoftuar se pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë konfiskuar një armë në shtëpinë e një 67-vjeçari.

“Në lidhje me këtë policia e rendit, e shoqëruar dhe nga Njësia për Dhunë në Familje, i janë përgjigjur menjëherë këtij rasti dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në proces të hetimeve gjatë intervistave të personave të përfshirë në këtë rast policia në shtëpinë e të dyshuarit me inicialet B.A. ( M/K) 67-vjeçar, ka gjetur një armë zjarri (pistoletë), një karikator pa fishekë, të cilën më pas e ka konfiskuar”, thotë PK-ja.

Ndërkaq, thekson se të dyshuarin, pas intervistimit, e ka lënë të lirë për procedura të mëtejme hetimore.

“Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në Stacionin Policor në Shtime dhe pasi është intervistuar nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndaj tij është iniciuar rasti penal ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve’ për procedura të mëtejme hetimore dhe i dyshuari është liruar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Policisë, në lidhje me rastin e dhunës në familje është shoqëruar në polici edhe personi tjetër me inicialet M.A. (M/K) i moshës 35-vjeçar, i cili thuhet se i kishte shkaktuar dhunë psikike 19-vjeçares me inicialet L.S., me të cilën po bashkëjetonin.

Në njoftim thuhet se i njëjti pasi është intervistuar nga hetuesit policorë të dhunës në familje, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është iniciuar rasti penal “Dhunë në familje” për procedurë të rregullt hetimore dhe i dyshuari është liruar.

“Për rastin e dhunës në familje, veç Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa viktima kthehet te familjarët e saj”, njoftoi Policia. /Zëri