Qehaja: Serbia do të synojë shfrytëzimin e situatës në Ukrainë për të bërë lëvizje të forcave në veri të Kosovës

Ushtaraku dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka folur sot për zhvillimet e fundit mes Ukrainës dhe Rusisë dhe ndikimet që mund të kenë ato në Kosovë.

Qehaja fillimisht ka thënë se agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, që tashmë ka marrë përmasa të shkallës së gjerë, nuk ka implikime direkte të sigurisë në Kosovë, por sipas tij implikimet janë të tërthorta për shumë arsye.

Ai ka paralajmëruar se Serbia do të synojë ta shfrytëzojë “mësymjen” ruse në Ukrainë për të bërë lëvizje të forcave në veri, transmeton Zeri.info.

“Ne në vazhdimësi jemi duke u ballafaquar me ndikimin rus përmes partnerit të saj strategjik – Serbisë. Me përshkallëzimin e situatës në Ukrainë Serbia do të detyrohet të përcaktohet se ku e mban anën, vendim ky jo i lehtë i tyre. Megjithatë, Serbia do të synojë ta shfrytëzojë ‘mësymjen’ ruse në Ukrainë për të bërë lëvizje të forcave në veri të Kosovës sipas metodologjisë dhe qasjes tani më të aplikuar nga Federata Ruse në rajonet ukrainase Luhansk dhe Donetsk”, ka shkruar Qehaja.

Ai ka treguar se mund ta bëjë Serbia këtë.

“Si mund të bëhet kjo? Serbia do të mundë të tentojë përdorimin e forcave për një ‘blic-krig’ ushtarak deri në lumin Ibër, duke krijuar një situatë faktike të re në terren, duke shfrytëzuar fokusin ekzistues perëndimor në Ukrainë dhe duke krijuar një rrethanë favorizuese në bisedimet e ardhshme, kuptohet në funksion të ndarjes së Kosovës”, shkruan Qehaja.

Njohësi i çështjeve të sigurisë ka dhënë edhe këshilla se si duhet të veprojë Kosova që të ndalojë një tentim të Serbisë për të destabilizuar vendin.

“Sigurisht se ne duhet të dalim nga zona e komfortit dhe të mendojmë se të tjerët do të na mbrojnë dhe përkrahin me çdo kusht. Kujtoj se përveç përforcimit të mbrojtjes së kufirit në pjesën veriore dhe pjesët tjera përgjatë vijës së shtrirjes së kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ndërmarrë dhe masa tjera. Paralelisht duhet të punohet me praninë ushtarake të KFOR-it, duke shtuar komunikimin dhe ndërveprimin në funksion të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit. Krahas saj, lypset vënia në gatishmëri më të lartë veprimi të njësiteve të policisë duke nënkuptuar edhe pjesën rezervë të saj. Njësitet e FSK-së të përcjellin situatë, të studiojnë terrenin dhe të jenë në gatishmëri veprimi për mbrojtje. Njëkohësisht të shtohen masat dhe veprimet e shërbimit tonë inteligjent dhe të ndërmerren masat e gatishmërisë emergjente në tërë territorin e vendit tonë e në veçanti në veri etj.”, shtoi ai.

Sipas tij, Kosova duhet të mobilizohet dhe të krijojë avantazh strategjik tashmë kur pas një kohë të gjatë perëndimi (BE-ja dhe NATO-ja) duket se është duke folur me një zë të vetëm në funksion të mbrojtjes së vlerave demokratike e liberale, bazë e së cilës ishin edhe krijimi i shtetit të Kosovës. /Zëri