Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe — kapitull specifik i gjeopolitikës postmoderne serbe
Që nga qershori i 1999-ës, kur pas plot 78 ditë bombardimesh të caqeve serbe nga Aleanca Verioatlantike, ju dha fund luftës me përmasa gjenocidi në Kosovë, përballja mes makroforcave që do të përcaktojnë të ardhmen e saj si entitet politik vazhdon. Në njërën anë janë shqiptarët shumicë absolute, që do të mëtojnë rrumbullaksimin e ndërtimit të shtetit të ri, si kompromis përballë gjakimit historik për bashkim me Shqipërinë, e në anën tjetër serbët, respektivisht Serbia, që permes institucioneve paralele ka pretenduar ndarjen e Kosovës. Pala e tretë, pas shpalljes së pavarësisë, do të jetë BE-ja, që konform rezolutës së OKB (2010), do të anagazhohet si fasilituese e dialogut për normalizim të marrëdhënjeve.
Tejzgjatja e dialogut ka prodhuar marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe atë të 25 korrikut 2015, si nusprodukt i saj, e cila do të refuzohet nga Gjykata Kushtetuese. BE-ja me qëndrimin neutral ndaj Kosovës si shtet, kishte kontribuar në promovimin e asimetrisë politike, duke përfunduar në mbështetje të Beogradit në procesin e defunksionalizimit të Republikës perms imponimit në rritje të ralizimit të Asociacionit të Komunave me shumisë serbe, si hap i parë drejt ndarjes së Kosovës.
Në këtë trajtesë do të provojmë të hedhim dritë pikërisht mbi këtë objektiv të gjeopolitikës postmoderne serbe.
Ka ardhur momenti i së vërtetës në marrëdhëniet shqiptaro-serbe
Angazhimi i një ekipi të tërë diplomatësh amerikan në Ballkanin Perendimor dhe ideja që viti 2022 të jetë edhe fundi i D-lin-it për një marrëveshje politike mes Serbisë e Kosovës, respektivisht serbëve e shqiptarëve, si dy prej kombeve me peshë specifike në Europën Juglindore, shënon momentin e së vërtetës mes dy kombeve tona, por edhe epilogun e interesave gjeopolitike të Perendimit në përballje me Rusinë në këtë pjesë të kontinentit të vjetër.
Serbia duket se ende nuk e ka të qartë rrezikun në të cilin mund të gjendet krejt pa pritur, në rast se pretendon të imitojë Rusinë në shtrirjen e influencës së saj përms aplikimit të të ashtuquajturës “botë serbe”. Ballkani Perendimor pas largimit të trupave serbe nga Kosova (qershor 1999) dhe pas rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiçit më 4 shkurt 2022 në Podgoricë, është duke u pozicionuar qartë në sferën e interesave gjeostrategjike perendimore.
Për mundësinë e vringëllimit të armëve serbe, qoftë në Bosnjë apo në Kosovë, në funksion të zgjerimit të sërishëm të Lebensraum-it serb, Beogradi ndërkohë, po mëson nga leksioni i Ukrainës, atë që nuk e kishte përvetësuar si duhet nga fundi i Jugosllavisë.
Prandaj ditët e fundit po dëgjohen deklarata nga vetë kreu i Serbisëi, që shenjojnë një lloj predispozite për të ulur pasionin dhe panikun për një shpërthim të mundshëm e të shpejtë në Bosnjë a Kosovë.
***
Dialogu i ndërmjetësuar e lehtësuar nga Brukseli dhe i mbështetur nga Uashingtoni për vite të tëra ( në vitet 2017–2018), perms angazhimit për ndarjen e Kosovës në emër të ripërcaktimit të kufirit shqiptaro-serb, ishte futur në rrugë pa krye.
Revolucioni i heshtur i 14 shkurtit 2021, sikur ka imponuar stivimin në sirtarë të historisë të projektit për ndarjen e Kosovës, e me këtë rishikimin e plotë të procesit të dialogut.
Këtë fakt e dëshmoi vizita e dyshes Eskobar-Lajçak së fundmi në Prishtinë e Beograd.
Tashmë nuk bëhet fjalë për alternativën: o territor, o Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, siç trumpetuan gjatë një lagje jo pa peshë e politikanëve dhe mediave që mbështeste projektin e akorduar nga dyshja Thaçi-Vuçiq, kohë para takimit në Alpbah të Austrisë. (Le të kujtojmë se pikërisht më 25 gusht 2018, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hapur kishin folur për idenë e ndryshimit të kufijve.)
Fraza që përdori Thaçi jo vetëm atë ditë, por edhe në disa konferenca të përditshme që mbajti me tu kthyer në Prishtinë, ishte pikërisht ajo për ‘korrigjim kufijsh’. Ajo ishte sinjifikuesi politik, respektivisht shenjuesi i takimit atbotë në Alpbah. Mbasi Vuçiqi shtroi pyetjen tri-katër herë në panel se, ku janë kufijtë ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërkaq askush — as Thaçi madje — nuk i tha se kufijtë ekzistojnë, ai la të kuptohej se duhej rënë në ujdi për kufij të ri ndërmjet serbëve e shqiptarëve. (Në serbisht ai këtë akt e ka cilësuar si ‘razgraniçenje’).
Jo rrallë para mediave, në të ashtuquajturën “konsultë me popullin”, e ka cilësuar edhe si hap drejt zgjidhjes së konfliktit shekullor ndërmjet serbëve e shqiptarëve, dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor, siç shprehej ai. Kështu e cilësoi edhe në takimin e Alpbahut, ku të pranishëm ishin presidenti austriak, Alexander Van der Bellen dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn tok me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, që duket se ishin të parapërgaditur, meqë takimi ishte orkestruar mirë nga dyshja Thaçi-Vuçiq, marrë parasysh se njëzëri takimin do ta cilësojnë si një zhvillim të ri e ‘moment historik”.
Me këtë akt ishte lënë mënjanë marrëveshja e prillit 2013 e pltosuar në detaje nga ajo e gushtit 2015, meqë Gjykata Kushtetuese jona dhe opozita ishin dëshmuar si e përgjegjshme, duke ju kundërvënë idesë së promovimit të Republikës Serbska brenda Shtetit të Kosovës, duke hedhur një hap tjetër që do t’i dëmtonte rëndë interest strategjike të Republikës dhe kombit në tërësi.
Në emër të normalizimit të marrëdhënieve më 19 prill 2013 Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e parë me Serbinë. Sipas saj parashihej themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që do të pasonte me integrimin e pjesëtarëve të strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës. Kjo nënkuptonte mundësinë e shndërruar në kusht nga ana e serbëve për zgjedhjen e komandatit rajonal të policisë (përkatësia etnike e së cilit/cilës, potencohet se duhet të jetë serb), mbajtjen e zgjedhjeve edhe në veri të Kosovës, etj. Kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkaq më pas, është aprovuar edhe kushtetutshmëria e saj nga Gjykata Kushtetuese.
Në atë proces verifikimi e aprovimi, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar vetëm pjesën e procedurave të ratifikimit, por jo edhe pjesën përmbajtjesore të marrëveshjes. Në qoftë se, edhe vetëm për kërshëri analitike, lexohet përmbajtja e Marrëveshjes së 19 prillit, ajo venerohet qartë se nuk është në tërësinë e saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet aktuale në Kosovë, nënvizon si fakt studjuesi Adem Beha.[1]
Marrëveshja e 19 prillit 2013 — nëse përdorim terminologjinë e John Rawls — shkel parimin e drejtësisë si paanshmëri, që nënkupton para së gjithash parimin e qytetarëve të lirë e të barabartë. Por, përtej asaj marrëveshjeje, Serbia, meqë tashmë po gjykonte se ishte momentumi politik ta realizojë idenë pararendëse — atë të ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut, meqë kishte investuar në këtë plan shumë gjatë periudhës 2016–2018, duke përfituar edhe nga fakti se ndërkohë ishte etabluar administra e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq tashmë e kishte të garantuar mbështetjen e miqëve të saj tradicional europian, po lihej në sirtarë marrëveshja mbi Asociacionin dhe po kalohej në atë të ndarjes së Kosovës.
Sipas kreatorëve të marrëveshjes për ndarjen e Kosovës, ajo si akt duhej të përmbyllej më së voni, deri në marsin e vitit 2019, shprehej këshilltari për çështje të sigurisë të Donald Trump-it, John Bolton. Siç pohon ai në një intervistë dhënë balkaninsight.com, perms institutit të tij, në dobi të idesë për ndarjen e Kosovës, ishte angazhuuar edhe Tony Bler dhe përfaqësues të qeverive evropiane. Tutje ai kujton se Brenda Bashkimit Evropian, nuk kishte unanimitet në këtë pikëpamje, por kishte evropianë mjaft seriozë që i bindën ekspertët e Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, se ia vlente që ta lejonim që procesi të ecte.[2]
Prandaj kori i këshilltarëve politik të ish presidentit Hashim Thaçi dhe ajo lagje e mediave që mbështeste atë, po trumbetonte për momentumin politik të duhur. Pikërisht kjo atmospferë e krijuar, e kishte shtyrë presidentin serb të mos kursente lavdratat në adresë të Thaçit në Alpbach, tek pohoi publikisht se Thaçi ishte ‘politikan më i mirë se ai (vetë)’! Kjo deklaratë e Vuçiqit duket t’i ketë gudulisur sedrën Hashim Thaçit dhe tI tingëllojë si e besueshme mundësia që po i ofronte ky “moment historik”, duke marrë në konsideratë edhe premtimet e mundshme, që t’i shmangej Gjykatë Speciale. Shih për këtë, duket se, janë këto arsye, pse ai nuk do t’i kontrollonte dot emocionet e do të deklarote se ‘ne [Thaçi e Vuçiqi] nuk jemi djem problematikë” (We are not problematic guys), në anglishten e tij të çalë!
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është projekt tashmë i realizuar me sukses në Bosnjë. Edhe atje filloi si asociacion i komunave serbe dhe përfundoi me shtetin në shtet — Republikën Srbska. Si i tillë, ky projekt, është kapitull i gjeopolitikës moderne serbe. Këtë e dëshmon qartë intelektuali serb Dr Ljubisha Mitroviq:
“Lufta për kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë do të jetë afatgjatë dhe e pasigurt. Ajo duhet e mund të bëhet, vetëm përmes një strategjie bashkëpunimi dhe lufte permanente për të zhvilluar një vetëdije politike autonome gjithandej tek popujt e Ballkanit për nevojën për bashkëpunimin e tyre (riafirmimi i fjalëkalimit strategjik “Ballkani për popujt e Ballkanit” dhe “Evropa për evropianët”), duke fituar kështu një lloj shprese për Europën e së ardhmes dhe botës. Duke u bërë një vend i fortë ekonomikisht dhe në rrafshin kulturor, Serbia do të rifitojë reputacionin e saj politik dhe do të sigurojë riintegrimin demokratik në këtë gjeohapësirë.”[3] [Dr Ljubiša Mitrovië: 2018]
Asociacioni rrjedhimisht mbetet si vet nocioni “bota serbe” — një lloj fjalëkalimi strategjik i Beogradit drejt aneksimit të veriut të Kosovës dhe krijimit të të ashtuquajturës “Botë Serbe”.
Forumi i Alpbah-ut po zhvillohej vetëm dy ditë pas konferencës së famshme të Këshilltarit për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, mbajtur në Kiev, më 24 gusht 2018, ku kishte deklaruar se SHBA-të nuk do të përjashtonin apo kundërshtonin një zgjidhje me këmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse të dyja vendet binin dakord për këtë. Këto deklarata vinin një javë mbasi që gazeta prestigjioze “The Financial Times” shkruante se “Kosova dhe Serbia po i afroheshin një zgjidhjeje me ndarje të Kosovës.”
Përmes kësaj deklarate po vihej në pah çarja në politikën amerikane ndërmjet Këshilltarit për Siguri Kombëtare (John Boltonit) dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga Sekretari Pompeo. Ky i fundit , më 20 gusht 2019, mbas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiq, në një kumtesë të lëshuar, potencoi “nevojën për zgjidhje me njohje të ndërjeselltë të të dyja vendeve, pa përmendur çështjen e kufijve”/ Ajo ndërkohë do të përforcohet nga administrata e re e Joe Bidenit, me theks në letrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit për kryeministrin Albin Kurti, ku potencon se mungesa e zgjidhjes në marrëdhëniet Kosovë-Serbi mbetet pengesë për integrimin euro-atlantik të Kosovës. Ndërkaq në një letër që i kishte dërguar Vuçiçit më 23 shkurt 2021, e publikuar tek “Novosti”, Blinken kishte thënë se synimi i SHBA-së është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës të përqendruar te njohja e ndërsjellë.[4]
Agjenda e munguar e Brukselit për Kosovën dhe uniteti i maskuar
Vizita e Ndihmës Sekretarit amerikan për Europën dhe Azinë, Gabriel Eskobar, së fundmi, tok me të ngarkuarin e BE-së për dialog mes Kosovës e Serbisë, Aleksander Lajçak, në Prishtinë e Beograd, kur u hoq nga tavolina “ultimatumi” që kishte vënë Brukseli më parë: o Asociacioni i Komunave me shumicë serbe — o ndarja e Kosovës, ndërkohë ka shkaktuar konfuzion të vërtetë midis aleatëve perëndimorë. Ndërkaq këmbëngulja e vazhdueshme për terminologjinë që asocion “unitet” mes aleatëve euroatlantik rreth epilogut të këtij dialogu, tregon qartë kompleksitetin dhe mosmarrëveshjet për të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarëve në BE, që mund të jenë, pas rastit të Ukrainës, fatale për të ardhmen e vet Evropës. Këtë fakt, duket tashmë e ka të qartë sidomos Uashingtoni.
Brukseli kishte kohë që kishte zhvendosur fokusin e dialogut nga çështja qenësore e tij: njohja reciproke midis dy shteteve, që me të drejtë u cilësua nga diplomati ynë Shaban Murati si “Perspektivë amerikane” për Kosovën,[5] tek dialogu për normalizim.
Mesazhi i diplomatit të lartë amerikan në Prishtinë, sipas Muratit, kishte dy parametra kryesore:
1- SHBA-të mbështesin pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës;
2- SHBA-të janë për qendërzimin e dialogut në çeshtjen e njohjes reciproke midis dy shteteve, kërkesë e parashtruar nga presidenti amerikan Xho Bajden në 7 shkurt 2021 në komunikimin me shkrim me presidentin e Serbisë Vuçiç.[6]
Qëndrimi i mefshtë i Brukselit, por që po rrezikonte de fakto interesat gjeopolitike të SHBA-ve në rajon, i dha Uashingtonit mundësinë për t’u kthyer sërish në rolin qenësor, respektivisht të “marrë frenat në duart e veta” për përmbylljen e këtij procesi. Me fjalë të tjera, tash e tutje, Uashingtoni, në emër edhe të Brukselit (BE-së), do t’i jap ton dialogut dhe vetë fundit të tij, natyrisht duke marrë në konsideratë parasëgjithash interesat e tij.
Vizita e dyshes së diplomaëtve perendimor, sidomos në Beograd, dëshmoi se, jo ëgjithçka është idilike, ashtu siç do të dëshironin të ishte. Rikthimi i Aleksander Vuçiqit tani tek marrëveshja e prillit të 2013 për Asociacionin, mbetet thembra e Akilit edhe për diplomacinë amerikane. Në fakt, edhe pse i sikletshëm — në stilin e tij të njohur që të kujton Millosheviqin — Vuçiqi fill pastaj pohoi sërish, si papagall, vetëm të vërtetën e zhveshur serbe: “Serbia nuk do ta njojh kurrë pavarësinë e Kosovës, për aq kohë sa unë jam president!” Por, pikrisht tek kjo “e vërtetë serbe” thyhen shtizat mes diplomacisë euroatlantike.
Diplomacia amerikane tashmë e ka të qartë se “Asociacioni i komunave serbe” për Beogradin është vetëm prolog drejt ndarjes së Kosovës, por është diplomacia europiane ajo që po dëshmon se Brukselit i ka munguar agjenda reale për Kosovën. Në këtë dihotomi konceptimesh për të ardhmen e Ballkanit Perendimor, Beogradi nuk ka hezituar ta bëjë publik projektin gjeostrategjik për “Botën serbe” brenda së cilit e sheh edhe veriun e Kosovës.
Ballkani në darat e gjeopolitikës
Situata përgjithësisht në Ballkanin Perendimor vazhdon të jetë tejet konfuze. Mali I Zi tek më 4 shkurt, kur rrëzoi qeverin klerofashiste që erdhi në pushtet falë ndërhyrjes së hapur të Serbisë dhe Rusisë, po i rikthehet vetëvetes dhe sferës së interest strategjik Perendimor. Në Bosnjë vringëllimi i armëve, sidomos në Republika Serbska, bëhet me potencë të theksuar dhe fare hapur.
Një pjesë e shteteve të rajonit, sidomos Serbia dhe Bosnja — me theks në këtë mes Republika Serbska, vazhdojnë të jenë sferë e ndikimit të Rusisë, Kinës, por edhe Turqisë.
Por, për dallim psh. nga ukrainasit, që janë të vetëdijshëm për pozitën e rrezikshme në të cilën ndodhet vendi i tyre — i vendosur mes interesave të Rusisë dhe fuqive të Perendimit, serbët, përkundrazi, nuk janë fare të vetëdijshëm për këtë “lojë” të rrezikshme, ku mund të rikthehen.
Mirëpo, derisa është e sigurt që qytetarët askund nuk do të donin të kthehen në fillet e dekadës së fundit të shek. të kaluar, duke u zhytur sërish në luftë, historia, sidomos ajo e Bosnjës, na mëson se ajo, pra lufta, fillon në kushte të tilla të papritshme (edhe kur nuk është e dëshirueshme). Në përplasjet mes palëve, vjen një qast kur diplomacia bllokohet, ndërkaq tashmë fillon të rrjedhë momenti kur gjërat dalin jashtë kontrollit. Atëherë diplomacia ia lëshon vendin armëve — jo vetëm marrshit të tankeve, por edhe futjes në “provë” të armëve ultramoderne.
Në këtë rrjedhë ndeshtrashash, kur Ballkani po hyn sërish në darët e gjeopolitikës, Xhek Smith, prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare, do të emrohej Prokuror i Specializuar për Ballkanin Perendimor, që për objektiv ka luftën ndaj krimit të organizuar si burim kryesor financiar për strukturat politike që mund të jenë dorë e zgjatur e agjendës ruse dhe terrorizmit.
Për rëndësinë, respektivisht rrezikshmërinë që përfaqësojnë këto struktura të krimit të organizuar e të katapultuar edhe në politikë, por edhe për përhapjen e tyre në botë, flitet në Rezolutën e Konferencës VIII Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të mbajtur në Kubë, në vitin 1990. Në tekstin e rezolutës në fjalë, qe nënvizuar se, “krimi i organizuar rreshtohet si problem i dytë për botën mbas atij ekologjik dhe se, një shtet tashmë nuk është në gjendje ta përballojë dhe ti dalë mbanë i vetëm kësaj problematike në territorin e tij.[7]
Ballkani Perendimor ndërkohë rikthehet në vëmendjen e Uashingtonit si zonë e interesit strategjik amerikan, që mund të cënohet nga forca të kësaj natyre, por që lehtësisht bien nën ndikimin e Rusisë. Zhvillimet politike në Bosnjë e Mal të Zi e dëshmojnë këtë tezë katërcipërisht.
Në këtë prizmë duhet shikuar angazhimin e SHBA-ve në Ballkanin Perendimor në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndërvartësisë së politikës ndaj qarqeve të inkriminuara në politikë. Krejt këtë duhet shikuar si pjesë e doktrines së J.Biden-it në mbrojtje të pozicionit gjeopolitik dhe të demokracive liberale në përballje me neofashizmin, që po veproon hapur nën siglën e demokracive iliberale.
Përfundim
Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet trajtuar ashtu si ishte: si marrëveshje e imponuar nga aleatët e Beogradit brenda BE-së, të koordinuar me këto qarqe neofashiste në rajon, por edhe si shantazh ndaj krerëve të politikës kosovare, të cilët Beogradi kishte kohë që i kishte instaluar si marioneta në krye të Republikës.
Imponimi i asociacionit si shtesë e Planit të Ahtisarit, që ju garantonte komunave me shumicë serbe të drejta më të gjera se Karta Europiane për pushtetin lokal, paraqet dështimin e projektit të Bashkësisë Ndërkombëtare për Kosovën si bashkësi e qytetarëve të barabartë dhe një model që do të ketë efekte domino, jo vetëm në rajon. Imponimi i tij, de fakto, defunksionalizon Republikën.
Perendimi si tërësi, duhet të marrë në konsideratë dy kthesat historike që ndodhën në rajon brenda një periudhe jo më të gjatë se një vjet: atë të 14 shkurtit 2021, që prodhoi revolucioni i heshtur në Kosovë, në njërën anë, dhe atë të 4 shkurtit 2022 në Podgoricë, kur u rrëzua qeveria klerofashiste e instaluar nga Kisha Serbe dhe politika subversive serbo-ruse.
Këto dy ngjarje duhet parë si tërësi integrale e perspektivës amerikane për Ballkanin Perednimor.
Përspektiva amerikane, siç pohon diplomati jonë i mirënjohur, Shaban Murati “ka dy parametra kryesore:
1. SHBA mbështesin pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
2. SHBA janë për qendërzimin e dialogut në çeshtjen e njohjes reciproke midis dy shteteve…” [8]
Kjo u dëshmua edhe në letrën e fundit (12.02.2022) të J..Biden-it për kreun e Serbisë, A.Vuçiq, ku pohohet qartë se ka ardhur koha që, dialogu duhet të marrë fund përmes njohjes reciproke, si diçka krejtësisht e pritshme nga pala amerikane. Ky fakt dëshmon se, tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.