77 vjet nga vrasja e Shaban Polluzhës
Sot u bënë 77 vjet nga vdekja e Shaban Polluzhës.
Ai ishte njëri ndër komandantët më të njohur të Zonës së Drenicës gjatë luftës së Dytë Botërore.
Më 21 shkurt të vitit 1945, në fshatin Tërstenik të Drenicës, vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të Zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Shabani nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese.
U përball me bullgarë e austriakë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe me regjimin e Jugosllavisë borgjeze. Gjatë mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullor dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.
Ishte komandant i një pjese të frontit në Mal të Zi, Kollashin dhe Sanxhaku i Tregut të Ri, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (gjyqit paqetues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar te Islihatit në Drenicë.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944 derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse…) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare 1 dhe ripushtimin e Kosovës… Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945, urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944 - janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, “Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t’u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.
Shaban Polluzha në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.