Makina me energji diellore që mund të ‘vozitet me muaj pa u karikuar’ do të dalë këtë vit

Një makinë me energji diellore ka udhëtuar qindra kilometra me një karikim të vetëm, duke shënuar një moment historik të madh drejt sjelljes së automjetit “më efikas dhe më të qëndrueshëm në botë” në treg.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Lightyear One përshkroi 400 kilometra me 130 kilometra për orë përpara se të rimbushej gjatë testeve në qytetin italian të Aprilia muajin e kaluar. Testet e mëparshme të kryera me një shpejtësi më të ulët panë se makina elektrike përshkoi më shumë se 700 kilometra.

Lightyear pretendon se makina e saj do t’i lejojë klientët “ta ngasin me muaj pa e mbushur” dhe shpreson t’ua dorëzojë automjetet e para klientëve deri në mesin e vitit 2022.

Rezervimet për Lightyear One tashmë mund të bëhen përmes faqes së internetit të kompanisë, duke kërkuar një paradhënie prej 150 mijë eurosh.