Debati për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës u nxit nga Serbia, thotë Krasniqi
Memli Krasniqi e cilësoi të shtirur dhe të panevojshëm debatin lidhur me vendimin e Ministrisë së Kulturës në Kosovë për restaurimin e shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm Xhafer Deva.
Restaurimi i kësaj shtëpie sipas Krasniqit nuk nënkupton restaurimin dhe rahabilitimin e figurës së Devës, por restaurimin e një ndërtese me vlera të rralla të arkitekturës austro-hungareze.
“Shumicën e viteve ajo ndërtesë nuk lidhet me njeriun në fjalë, ka shërbyer edhe si ambulancë, zjarrfikëse, ndërsa pas luftës aty kanë gjetur strehime edhe familje që u janë djegur shtëpitë. Ka qenë projekt edhe në kohën kur unë kam qenë ministër kulture. Është një nga ekzemplarët e arkitekturës austro-hungareze dhe ka qenë një ndërtesë që dallohej në Mitrovicë. U nxit nga Serbia ky debat, por flitet për restaurim të një ndërtese për shkak të vlerave arkitekturore”, u shpreh Memli Krasniqi.
Xhafer Deva, i lindur në Mitrovicë ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.
Në vitin 1944 Xhafer Deva, u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
E kaluara e tij solli reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, sipas të cilit Deva kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore./euronews.al