Vllahiu: Pres që presioni për dialogun Kosovë Serbi të jetë për të dyja palët

Analisti politik, Arbër Vllahiu, e quajti pozitiv faktin që një zyrtar i lartë i BE-së dhe një i SHBA-së ia kanë dalë t’i përafrojnë qëndrimet e tyre rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha gjthashtu që pret se presioni sa i përket kësaj çështjeje të jetë për të dyja palët që të ulen dhe gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

“Le t’i shohim edhe presionet si diçka pozitve, pozitive në kuptimin që Kosova edhe më tutje vazhdon që të jetë në agjendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian natyrisht. Por me rëndësi është posqërisht angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, për të afruar procesin e dilaogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për t’i dhënë një kahje ose drejtim gjithë këtij procesi me qëllim të mbylljes së tij,” u shpreh Vllahiu në Info Magazine të Klan Kosovës.

Tutje, deklaroi se klasa politike e Kosovës duhet ta kuptojë që dialogu jo vetëm që nuk ka alternativë, por është e vetmja mënyrë që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.

“Nëse i kthehemi pjesës së parë të deklaratës së Escobar, sërish e përsëritë të njejtën gjë që e ka thënë edhe disa herë për çështjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, që është një prej garancive më të mëdha që i jep Kososës në këtë fazë.”

Ai tha se në vend që të merren me njëri-tjetrin, do të ishte më mirë që të gjithë liderët politk të merren vesh se si duan ta shohin të ardhmen e Kosovës.

“Kosova duhet të tregojë se çfarë don, nuk mund të thotë gjithmonë se nuk e duam këtë, Kosova duhet ta tregojë me unison, me një fjalë të gjithë liderët politikë se çfarë gjendje duan ta shohin Kosovën nesër, si duan t’i shohin çështjet e brendshme që rregullohen.”

Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë në vizitë në Kosovë për të diskutuar mbi zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.