U bllokuan nga bora, kompania për pastrim të rrugëve dëmshpërblen me 2000 euro çdo makinë

“Attiki Odos SA”, kompania që menaxhon unazën më të madhe të kryeqytetit grek, Athinës, ka thënë se do të kompensojë mijëra shoferë që paguajnë taksë, të cilët u bllokuan në autostradë në makinat dhe kamionët e tyre gjatë stuhisë të së hënës.

Sipas raportimeve të mediave greke, kompania do të ofrojë kompensim prej 2,000 euro për çdo përdorues të autostradës “Attiki Odos” që ka mbetur i ngujuar për orë të tëra në dëborë.

Vendimi thuhet se u mor pas një telefonate nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili kërkoi përgjigje se pse mekanizmi i reagimit emergjent të autostradës dështoi në mënyrë kaq drastike.

Pas situatës kaotike që u shkaktua në rrugët e vendit, Mitsotakis kryesoi një takim ku morën pjesë ministri i Mjedisit dhe Energjisë Kostas Skrekas, ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile Christos Stylianidis, zëdhënësi i Qeverisë, Giannis Oikonomou dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit Grigoris Dimitriadis në të cilën diskutuan mënyrat e mundshme për të vënë nën kontroll situatën e vështirë të cilën po kalojnë. /Zëri