Vdes aktori i humorit shqiptar, Arben Shaka

Ka ndërruar jetë aktori i humorit shqiptar, Arben Shaka.

Shaka ndërroi jetën në moshën 70-vjeçare si pasojë e infektimi me COVID-19.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar miku i tij, Ilir Çumani përmes një postimi në Facebook.

“Lamtumirë mik i vyer Arben Shaka. U rrita qysh fëmijë me humorin tënd të bukur dhe të shëndetshëm aty, në Cirkun e Tiranës. Si komshi, kaluam bashkë plotë vite miqësie duke parë tek ty jo vetëm shpirtin e mirë të një artisti të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha pashë tek ty, një Njeri me zemër të madhe, bujare dhe fisnike. E hidhur kjo ikja jote e beftë dhe e heshtur në një moshë relativisht ende të re. Do të mbaj mend gjithmonë Benin shakator, plot humor e ngazëllyes, i pafjalë dhe me pafajësinë e një fëmije, që edhe gjërat serioze i kaloje me shumë humor e sportivitet. Sa do më mungosh Mik! Të qoftë dheu i lehtë Artist i mirë….. R.I.P“, shkruan Çumani në postim.

Kujtojmë që Shaka filloi karrierën në moshën 17-vjeçare në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës.

Ndër sukseset e tij më të mëdha ishte filmi “Cirku në fshat” (1977), ku luante në rolin e Agronit. Ndërkohë, më pas pasuan role të shumta të suksesshëm.

Në vitin 1969 ai merr pjesë për herë të parë në një film me rolin në “Perse bie kjo daulle”. Me pas vazhdon përsëri në filmin e dytë në vitin 1972 tek “Odiseja e tifozëve”, “Cirku në fshat”.

Shaka ishte një personazh i dashur edhe për fëmijët duke shkruar edhe skenarë të filmave vizatimorë si: ‘Ëndrra në diell’, ‘Tiktaku i fundit’, ‘Nevoja të ndihmon’.