Universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi tribunën “Janari i përflakur”

Në shënimin e përvjetorëve të rënies se heronjëve Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Bardhosh Gërvalla, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizuar tribunën “Janari i përflakur”.

Fillimisht është intonuar himni Kombëtar dhe himni i Kosovës, në nderim të gjithë atyre që kontribuan dhe u sakrifikuan për idealin e lirisë.

Më pas fjalën hyrëse e ka pasur rektori i Universitetit Bajram Kosumi, i cili pasi ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, ka thënë se për çdo 17 janar ne kthejmë shikimin dhe vëmendjen kah Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Bardhosh Gërvalla.

“Ata para dyzet vjetëve ndezën flakën e revolucionit të Kosovës me gjakun e tyre. Revolucioni i nisur në vitin 1981 po shndërrohej në një proces pa kthim prapa”, ka thënë Kosumi.

Rektori në fjalën e tij ka thënë se pas rënies së tyre në altarin e lirisë, karvani i nisur me Hasan Prishtinën, Adem Demacin, Metush Krasniqin e shokët e tyre, u bë shumë më i madh, ndërsa në historinë shqiptare ky revolucion u bë i pakthyeshëm. E njëjta situatë sipas Rektorit Kosumi është përsëritur në marsin e vitit 1998, me Jasharajt; rënia e Jasharajve e vendosi dhe e vulosi fatin e luftës në Kosovë dhe lirinë e Kosovës.

Në fjalën e tij Kosumi ka thënë ndër tjerash se, ne sot i kujtojmë për të dëshmuar se çdo vit që kalon, kujtimi dhe besimi te ideali dhe vepra e tyre kthjellohet më shumë.

Në janarin e viteve te 80-ta, lëvizja ilegale e kohës kishte nisur të marrë shtrirje dhe përmasa të gjera. Pishtarët, Kadri Zeka së bashku me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Rexhep Mala e Nuhi Berisha, luftuan duke qëndruar për idealin e Lirisë. Pikërisht për këtë Hydajet Hyseni ka mbajtur ligjëratën Flakadanët e lirisë. Hyseni gjatë ligjëratës së tij ka thënë se pa vazhdimësinë e brezave të mëparshëm e deri tek brezat e tanishëm nuk do të mund të ishte tabloja e kompletuar. Ai ka folur për atdhedashurinë që heronjtë kanë pasur për vendin. Ai ka thënë se të gjithë heronjtë janë simboli më i mirë i bashkimit dhe ky ka qenë çelësi më i mirë i shpëtimit për ne.

Kurse, profesoresha Myrvete Baliu Dreshaj gjatë ligjëratës së saj Jusuf Gërvalla – Atdhetari dhe krijuesi, ka thënë se 40 vite më vonë jemi mbledhur t`i kujtojmë veprimtarinë e heronjve. Profesoresha Baliu Dreshaj ka thënë se lavdia e tyre ka lëvizur ndërgjegjen tonë me idetë, veprimtarinë e tyre, gjithnjë duke folur për popullaritetin e tij si intelektual, atdhetar dhe si idealistë për liri.

Në fund pati diskutim të hapur. Në këtë organizim të pranishmëve ishin anëtarët e Këshillit Drejtues të UKZ-së, prorektorët, dekanët, prodekanët, stafi akademik i UKZ-se, familjarë të atdhetarëve, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, kyetari i Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni, deputetet e Kuvendit të Kosovës Arjeta Rexhepi dhe Shqipe Selimi, kryetari i Shoqatës së të Burgosurëve Politik Selajdin Abdullahu, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Rashit Ymeri, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Xhevdet Mehmeti, nga Klubi letrar “Beqir Musliu” Sabit Rrustemi, nga klubi letrat Nositi Nexhat Rexha, përfaqësues të Parlamentit Studentor, drejtor dhe udhëheqës të administratës së UKZ-së, përfaqësues të medieve dhe të pranishëm të tjerë./Zëri