Paralajmërime për sulm të mundshëm në qendrat tregtare në periferi të Prishtinës dhe në Ferizaj

Stafi i diplomacive ndërkombëtare në Kosovë është paralajmëruar që të shmang qendrat e mëdha tregtare në Kosovë për shkak të informacioneve të pranuara për një sulm të mundshëm ekstremist.

Në bazë të njoftimit të siguruar nga “Zëri” thuhet se koha e mundshme e sulmit është deri më 30 nëntor.

“Është marrë informacion se një ekstremist, që quhen si "ujk i vetmuar", mund të planifikojë një sulm në një nga qendrat tregtare. Koha e mundshme është deri më 30 nëntor. Policia lokale është duke e vëzhguar të dyshuarin. Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët e misionit këshillohen që të shmangin zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrën tregtare Albi dhe qendrat tregtare në Ferizaj”, thuhet në lajmërimin që i është dërguar stafit të një prej përfaqësive diplomatike në vendin tonë.

Zëri ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast. Nga Policia kanë thënë se varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerren veprimet operacionale.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç'do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë.Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në përgjigjen e Policisë./Zëri